Kievi ka akuzuar Rusinë se ka vonuar më shumë se 165 anije mallrash, që janë nisur drejt porteve ukrainase për t’u furnizuar me grurë, sipas një marrëveshjeje që është ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.
Inspektorët rusë “kanë vonuar me qëllim inspektimet e anijeve”, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase përmes një deklarate më 24 tetor.
“Si rezultat, më shumë se 165 anije janë bllokuar afër Ngushticës së Bosforit, dhe ky numër po vazhdon të rritet çdo ditë”.
Anijet e mallrave që bartin grurë dhe ushqime tjera, në dhe nga portet ukrainase, duhet të inspektohen nga ekipet e organizuara prej Qendrës së Përbashkët të Koordinimit, një grup i krijuar sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Ukraina dhe Rusia, nën ndërmjetësim të OKB-së dhe Turqisë.
Marrëveshja është nënshkruar pasi ka pasur shqetësime se bllokimi i grurit ukrainas mund të kontribuojë në krizë globale ushqimore.
Ministria e Jashtme ukrainase ka thënë se ka arsye për të besuar se vonesat janë të motivuara politikisht dhe se janë duke kërcënuar sigurinë ushqimore të miliona njerëzve.
Rusia ka kërcënuar më parë me tërheqje nga marrëveshja, e cila i garanton Moskës eksportimin e produkteve të veta të grurit.
Marrëveshja duhet të vazhdohet muajin e ardhshëm.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë më 24 tetor, se Moska i ka kërkuar OBK-së të dhëna për destinacionin final të eksporteve të grurit ukrainas.
Sipas tij, “përditësimet” e nevojshme për të shmangur zhbllokimin, do të varen nga koha kur Rusia siguron këtë informacion.
Një copës predhe shihet në një fushë bujqësore në rajonin e Kievit. 19 prill 2022.
LEXONI EDHE KËTË:
Kriza ushqimore e shkaktuar nga lufta në Ukrainë
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Top Channel