Boris Johnson ka vendosur përfundimisht të tërhiqet nga gara për postin e kryeministrit, edhe pse siç pretendon ai, grumbulloi mbështetje mjaftueshëm për këtë qëllim, ndonëse publikisht për të, përkrahjen e shpallën më pak se 60 ligjvënës.
Sipas rregullave partiake, nëse njëri prej kandidatëve siguron mbështetjen e 100 ligjvënësve konservatorë, ai kandidat emërohet ndoshta sot shef ekzekutivi.
Johnson insistoi se kishte në krahun e tij 102 deputetë që mund t’ia siguronin kthimin në Zyrën e kryeministrit, por dështoi që ta bindte si Rishi Sunakun, apo edhe kandidaten tjetër, Penny Mordaunt, që të bashkoheshin “për interesin kombëtar”.
“Besoj se mund të ofroj shumë, por jam i frikësuar se thjesht tani nuk është koha e duhur. Unë jam tërhequr sepse e drejtova partinë tonë drejt një fitoreje masive zgjedhore më pak se tre vjet më parë – por pozicini im tani është se duhen shmangur zgjedhjet e përgjithshme. Zgjedhjet tani do të ishin një shpërqendrim tjetër katastrofik, pikërisht në kohën kur qeveria duhet të fokusohet në presionet ekonomike me të cilat përballen familjet në mbarë vendin“- u shpreh Johnson.
Pas tërheqjes së Johnsonit, ish ministri i financave Rishi Sunak konsiderohet automatikisht kandidati kryesor për postin e lakmuar, por edhe me përgjegjësi e rreziqe të mëdha, siç e konfirmoi dhe rasti i Liz Truss, e cila i mbajti frerët e ekzekutivit britanik për vetëm 45 ditë.
Truss pasoi Johnsonin në postin e kryeministrit, pasi ky i fundit dha dorëheqje në shtator për shkak të një sërë skandalesh etike. Sunak u bë i njohur për publikun britanik kur ishte 39 vjeç, pasi Johnson e emëroi ministër të Financave, në kohën kur Britania regjistroi rastet e para me koronavirus.
“Kam shërbyer si kancelari juaj, duke ndihmuar që ta drejtojmë ekonominë tonë në kohërat më të vështira. Sfidat me të cilat po përballemi tani janë edhe më të mëdha. Por mundësitë, nëse bëjmë zgjedhjen e duhur, janë fenomenale”– tha Rishi Sunak.
Nëse zgjidhet, Sunak do të bëhej kryeministri i parë britanik me prejardhje indiane, pasi familja e tij emigroi në Britani në vitet ’60.
Top Channel