Kampionati Europian i peshëngritjes që po zhvillohet në Durrës ku ishin të pranishëm rreth 700 sportistë nga e gjithë Europa është në ditën e ditë të parafundit ku ka dhënë verdiktet në peshat kryesore të këtij sporti.

Presidenti i Federatës Europiane të Peshngritjes, Antonio Conflitti është shprehur me superlativa për ecurinë e këtij aktiviteti që është i dyti radhazi që zhvillohet në vendin tonë.

Antonio Conflitti-president i Federatës Europiane të Peshëngritjes:

“Europiani po shkon mirë, kemi patur rekorde të reja dhe shtete të cilat marrin për herë të parë medalje. Dua të shtoj gjithashtu që kjo nuk do të jetë hera e fundit që vijmë në Shqipëri pasi vitin e ardhshëm do të rikthehemi me kampionatin botëror për kadet. Sigurisht që është një kampionat shumë më i rëndësishëm se këto që kemi zhvilluar ndoshta për mosha të reja për gjithsesi flasim për një botëror. Nuk është përcaktuar akoma zyrtarisht data, por diskutimet janë për ta zhvilluar në fund të muajit mars”.

Ndërkohë çështja e dopingut mbetet një thembër e Akilit për këtë sport.

Antonio Conflitti-president i Federatës Europiane të Peshëngritjes:

“Për fat të keq është një problematikë që ekziston, por po reduktohet shumë. Nëse do të ketë raste tek ky europian është akoma shpejt për ta thënë sepse do të na duhet të presim rezultatet. Shpresoj që jo”.

Shqipëria në këtë europian mori vetëm një medalje atë të Arjeta Radës, ndërsa Ertjan Kofsha si sportisti me më shumë perspektivë nuk ja doli të mund konkurrentët e tij.

Ndërkohë sa i përket çështjes së dopingut, duke qenë se në europianin e shkuar doli pozitive Evangjeli Veli, presidenti i FSHP ka një thirrje për të gjithë peshëngritësit shqiptarë.

Elez Gjoza-president i Federatës Shqiptare të peshëngritjes:

“Nuk mund t’i marrësh medaljen një sportisti tjetër në mënyrë të padrejtë tashmë të gjitha strukturat po bashkëpunojnë dhe janë shumë hapa përpara sportistëve, kushdo që tenton të marrë doping është i dështuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA