Në një kohë kur ekzekutivi pret qe ekonomia të ngadalësohet ndjeshëm vitin e ardhshëm, qeveria shqiptarë do të marrë sërish borxh në tregun e huaj për të financuar deficitin buxhetor.

Sipas draft-buxhetit të ri, financat kanë parashikuar daljen në tregjet ndërkombëtare për emetimin e një Eurobondi të ri, vlera e të cilit nuk bëhet ende e ditur.

Por, kjo do të varet edhe nga situata në tregjet ndërkombëtare nëse kushtet dhe interesat do të jenë të favorshme, në një kohë kur kërkesa për hua është e lartë pasi ekonomitë globale po përballen me krizën.

Sipas tabelave të buxhetit, deficiti buxhetor prej 55.4 miliardë lekë vitin e ardhshëm pritet të financohet gati gjysma e tij nga tregu i brendshëm, ndërsa pjesa tjetër nga financimi i huaj. Për shkak të rritjes së normave të interesit edhe në tregjet globale, qeverisë do ti duhet të paguajë edhe më shumë për shërbimin e borxhit për vitin 2023.

Por, me gjithë situatën e vështirë dhe presionin që po ushtron kriza e çmimeve, qeveria zotohet t’i kthehet konsolidimit fiskal në vitin 2023 dhe synon uljen e borxhit publik në 67.5%, nga 68.8% që pritet të jetë ky tregues në fund të vitit. Kjo bazuar mbi pritshmëritë ambicioze për të mbledhur më shumë të ardhura në buxhet.

Në vitin pandemik 2021, ekzekutivi theu rregullin fiskal me justifikimin e nevojës dhe urgjencës përmes një akti normativ duke zgjeruar ndjeshëm deficitin buxhetor e rritur rrjedhimisht borxhin, duke hequr kështu dorë nga rregulli për ulje të borxhit vit pas viti.

Vitin e kaluar, ekzekutivi emetoi Eurobondin e pestë me vlerë 650 milionë euro dhe me një afat maturimi 10-vjeçar, ku pjesa më e madhe e tij u përdor për shlyerjen e borxhit të vjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA