Në kohën kur frika më e madhe në Azi është ajo e një përplasjeje ushtarake për Tajvanin, një tjetër konflikt i rrezikshëm atje kërcënon rizgjimin.

Koreja e Jugut njoftoi se ka hapur zjarr në shenjë paralajmërimi ndaj një anijeje koreano-veriore që kaloi kufirin detar të vendit, dhe pala tjetër është përgjigjur në të njëjtën mënyrë.

“Koreja e Veriut po vazhdon provokimet dhe pretendimet e pamatura që minojnë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe në komunitetin ndërkombëtar”, deklaroi ushtria koreano-jugore, e cila kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve.

Tensionet janë rritur sërish mes dy vendeve sidomos javët e fundit kur Peniani ka kryer disa testime armesh, përfshirë edhe ato që pretendon se janë stërvitje taktike bërthamore.

Në kundërpërgjigje, Seuli dhe Uashingtoni kanë kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake, e kjo e ka acaruar se tepërmi veriun komunist. Procesi i bisedimeve dypalëshe ka ngecur në vendnumëro, e aktualisht, raportet mes dy Koreve janë në pikën më të ulët të viteve të fundit.

Muajin e kaluar, lideri verikorean, Kim Jong Un, deklaroi se shteti i tij është një fuqi “e pakthyeshme” bërthamore, duke i dhënë fund praktikisht negociatave mbi ndalimin e programit të tij të armëve bërthamore. Edhe pse pakti i viti 1953 i dha fund armiqësive pas Luftës Koreane, ai nuk u njoh asnjëherë si marrëveshje e mirëfilltë armëpushimit, dhe çështjet e kufirit detar vazhdojnë të mbeten një pikë e nxehtë përplasjesh mes dy vendeve.

Top Channel