Vetëm pak ditë arritën të kalojnë në Britaninë e Madhe, 12 shqiptarët e kthyer me shumë bujë nga Home Office, në një projekt pilot që synoi të tregonte sesi mund të goditet për 72 orë emigracioni i paligjshëm në vend, dhe të dekurajonte të tjerët që duan t’i hyjnë këtij rrugëtimi.
Nëntë burrat dhe tre gratë kishin zbarkuar në bregdetin e Kentit me një gomone trafikantësh të nisur nga Franca. Kthimi i rrufeshëm i tyre, u konsiderua një triumf i padiskutueshëm për sekretaren tashmë të larguar të punëve të brendshme, Suella Braverman.
Mes shqiptarëve të deportuar pikërisht atëherë kur menduan se makthi i këtij rrugëtimi të rrezikshëm kishte marrë fund me përmbushjen e shpresave te tyre për një jetë më të mirë në Angli, ishte dhe një elektriçist 27-vjeçar i quajtur Elton, thotë Daily Mail dhe një punëtor ndërtimi 19-vjecar, Lodjani. Ata rrëfyen sesi kishin mbërritur tre ditë përpara deportimit dhe gati sa nuk ishin mbytur, kur gomonia e mbushur me njerëz mbi kapacitetin e saj, kishte mbetur pa karburant në mes të detit.
Eltoni dhe Lodjani ishin vetëm 2 nga 10.000 shqiptarët që kanë kaluar kanalin e La Manshit këtë vit, por fati nuk ishte në anën e tyre, dhe tani, po përdoren si shembull për të zbrapsur të tjerët, teksa përhapet fjala për trajtimin që i pret tashmë nga sistemi britanik i emigracionit. të dy, ishin detyruar t’i paguanin trafikantëve 4000 paund për një vend në gomone, ndërsa udhëtimi në fund, rezultoi i pafrytshëm për ta. Eltoni, i cili flet mirë anglisht thotë Daily Mail, rrëfeu se ka studiuar në universitet dhe se vendosi të shkonte në Britani pasi humbi punën në Tiranë.
“Shefi im tha se po shkurtonte stafin”, ka shpjeguar ai për gazetën, duke treguar sesi bleu paskësaj biletën për udhëtimin treditor me autobus për në Francën veriore, e prej andej mori rrugën drejt Dunkirkut ku një trafikant kurd i kishte premtuar se do ta hipte në një varkë për në Angli. Ujdinë e kishte rregulluar kushëriri i Eltonit që jeton në Angli. Lodjani kishte blerë një biletë autobusi 250 paund nga Tirana në Dunkirk. Pas një nate të kaluar në një hotel të lirë, ishte orientuar nga trafikanti i tij kurd, të cilin e kishin paguar të afërmit e të riu në Angli, që të merrte autobusin për në Loon-Plage.
“Të gjithë miqtë e mi kishin shkuar në Angli dhe unë doja të bashkohesha me ta. Kam punuar në ndërtim që kur isha 14 vjeç. Me shkuarjen në Britani, synoja të ndihmoja të ndihmoja prindërit e mi, të cilët fitojnë shumë pak para në një fabrikë veshjesh në Tiranë. Desha t’i bëj ata krenarë”, është shprehur 19-vjeçari.
Për shkak se të dy ata nuk kishin aplikuar për azil, sipas skemës së re pilot të Home Office, ata u konsideruan të përshtatshëm për dëbim të menjëhershëm. Skema synon të ndalojë emigrantët ekonomikë shqiptarë të kërkojnë një strehim të sigurt në Britani, kur në Ballkan nuk ka pasur më asnjë konflikt për 25 vjet.
Top Channel