Andrés Iniesta ka qenë personaliteti i fundit i madh i ftuar nga youtuber-in, Jordi Wild, në podcast-in e tij “The Wild Project”. Prezantuesi i programit ka biseduar me futbollistin spanjoll për tema të shumta si jeta e tij në Japoni, situata aktuale e Barçës apo depresioni që kaloi në vitin 2009.
Një nga çështjet aktuale është edhe Topi i Artë, i cili këtë vit ka rënë në duart e madrilenit Karim Benzema. Si çdo vit, rihapet debati për çmimin e vitit 2010. Pas shënimit të golit që bëri Spanjën kampione të botës, Iniesta ndau podiumin me shokët e tij Leo Messi (i pari) dhe Xavi Hernández (i treti).
Shumë tifozë mendojnë se Iniesta e meritonte çmimin atë vit dhe Jordi Wild ka guxuar ta pyesë të ftuarin e tij për Topin e Artë: “A mendoni se bota ju ka borxh një Top të Artë?” Iniesta ka qenë i qartë për këtë: “Jo. E them si e ndiej. Do të kisha dashur ta fitoja, sigurisht. Nuk është se jam jokonformist, por nuk mendoj se është diçka që më mungon në jetë”.
Ish-lojtari i Barcelonës dha mendimin e tij për çmimet individuale. “Nuk kam qenë i fiksuar te çmimet individuale, por edhe ato i kam fituar. Nuk është diçka që e kisha në kokën time”, ka rrëfyer Iniesta.
Top Channel