Policia e Shtetit që ka në detyrën funksionale të saj të mbrojë qytetarët dhe të mbrojë zbatimin e ligjin, por rastet e shënuara këtë verë apo edhe rasti më i fundit i shënuar në komisariatin nr .3,  dëshmuan se Policet gjejnë koleget e tyre në krahun e kundër të ligjit.

Gjatë vitit të shkuar 99 punonjës policie u arrestuan për vepra të ndryshme penale ndërsa  224 u hetuan nga Prokuroria kryesisht për shpërdorim detyre. Policia nuk ka qenë në krah të ligjit kur drejtohej nga Ardi Veliu e mbikëqyrej nga Muhamed Rrumbullaku dhe nuk duket të jetë as këtë vit kur rolet mes dy zyrtarëve kanë ndryshuar. Rrumbullaku tashmë drejton Policinë ndërsa Veliu Agjencinë e Mbikqyrjes Policore.

Për periudhën nga janari deri në shtator të këtij viti në pranga si autorë të ngjarjeve të ndryshme, kanë rënë 24 policë ndërsa 263 të tjerë janë nën hetim nga prokuroria.

Rastet më të rënda të shënuara gjatë këtij viti janë arrestimi më 2 gusht për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ të komisar Arjan Tases pas aksidentit me gomone që i mori jetën një vogëlushe 7-vjeçare në plazhin e Potamit dhe arrestimi i Agjentit Jeton Lami më 24 gusht për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ pasi rezultoi se ka shoqëruar me mjet të shpallurin në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinaj.

Policia e rendit është struktura që merr numrin më të lartë të ankesave. 47% e totalit të ankesave lidhen me strukturën e sigurisë publike për shkelje të procedurave standarde të punës, më pas vjen policia rrugore dhe ajo e hetimit të krimit.

Policia që duam është ende shumë larg asaj që vendit dhe njerëzve i duhet. Sjelljet arbitrare, mungesa e etikës, shoqërimet e paligjshme përfshirja e policëve ne ngjarje kriminale dhe  raste me humbje jete në fakt janë realitet.

“Policia që duam”, këto fjalë i kemi dëgjuar shpesh edhe nga ministri Çuçi, por kjo nuk është policia që duan vërtetë shqiptarët.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA