Dy vëllezër janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së Indrit Ndoit, që u gjet i pajetë nga familjarët në një kanal të fshatit të premten në mëngjes.
Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se Ndoi është përfshirë në një konflikt me 39-vjeçarin Sajmir Miri dhe 18-vjeçarin Landi Miri.
Sherri që nisi për motive banale, përfundoi në një viktimë, pasi dy vëllezërit e kanë qëlluar 34-vjeçarin në këmbë me kaçavidë, sikurse thuhet në raportin e autopsisë. Për shkak të gjakderdhjes, ai ka ndërruar jetë. Autorët më pas janë larguar nga vendngjarja dhe trupi i viktimës u gjet gjet nga kalimtarët rreth orës 8:20 të mëngjesit të së premtes, në rrugën dytësore të fshatit Hasan të Krujës, shumë pranë banesës së prindërve të të riut.
Ndërkohë, sipas policisë, viktima ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, por theu masën duke dalë në rrugë. Ai ishte i njohur për uniformat blu si përdorues droge po ashtu në shtator të 2021 ai është arrestuar për trafik të qenieve njerëzore, pasi është kapur duke trafikuar 19 sirianë drejt Kosovës.
Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestruar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.
Ndaj dy vëllezërve Miri rëndon akuza e “vrasjes”, e kryer në bashkëpunim.
Top Channel