Erdogan propozon votë për të drejtën e mbajtjes së shamisë së kokës në Turqi (fotot)

22/10/2022 20:48

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka propozuar të shtunën votë kombëtare për të garantuar të drejtën e grave për të mbajtur shami koke në institucionet shtetërore, shkolla e universitete.

Subjekti duket se është i rëndësishëm për muslimanin Erdogan, teksa partia e tij me rrënjë islamike ishte ajo që hoqi ndalimin e shamisë së kokës në institucionet shtetërore në 2013.

Çështja vjen në një moment delikat kur protestat në Iran dominojnë mediat botërore, por dhe para zgjedhjeve të 2023 në Turqi, ku Erdogan pret sfida serioze ndaj qeverisjes së tij të dy dekadave.

Erdogan i referohet shpesh heqjes së ndalimit të shamisë muslimane të kokës si një shembull i devotshmërisë fetare të partisë së tij, qe ka fituar në vend ndaj partive laike prej vitit 2002.

“Nëse keni kurajo ejani, le ta vendosim me referendum… Le ta marrë vendimin kombi,” tha sot Erdogan në komentet drejtuar kreut opozitar Kemal Kilicdaroglu.

Kilicdaroglu drejton partinë laike CHP, e krijuar nga themeluesi i asaj që njihet si Turqia moderne, Mustafa Kemal Ataturk.

Por edhe lideri i CHP ka propozuar një ligj për garantimin e mbajtjes së shamisë së kokës, për të shuar frikat se partia e tij do të anulonte të drejtën.

“Ne kemi bërë gabime në të kaluarën, është koha ta lëmë prapa këtë çështje”, tha Kilicdaroglu në fillim të këtij muaji.

Kilicdaroglu kërkon të dëshmojë se votuesit besimtarë nuk duhet të tremben prej partisë së tij laike në votën e vitit që vjen, thonë ekspertët.

Prandaj në kundërpërgjigje, Erdogan propozoi ndryshimin kushtetues, që të dërgohet në parlament nga partia e tij që qeveris bashkë me një aleancë grupesh nacionaliste.

Ligji turk kërkon që ndryshimet kushtetuese të votohen nga 400 deputetë, ose me 360 vota mund të kalohen në referendum.

“Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në parlament, prandaj duhet të kalojë te populli,” tha Erdogan.

FOTO GALERI
1/3
Erdogan i referohet shpesh heqjes së ndalimit të shamisë muslimane të kokës si një shembull i devotshmërisë fetare të partisë së tij

Top Channel