Dëmtimi i pësuar në stërvitje, ylli i Realit humbet dy ndeshjet e radhës

22/10/2022 14:11

Karim Benzema pësoi një tërheqje muskulore në seancën stërvitore të së premtes përpara duelit shtëpiak ndaj Sevillas së Sampaolit. Kapiteni i Realit të Madridit dhe Topi i Artë 2022, i është nënshtruar mëngjesin e sotëm kontrolleve mjekësore.

“Pas testeve të bëra sot tek Karim Benzema është konstatuar lodhje muskulore në kuadricepsin e këmbës së majtë”, thuhet në raportin mjekësor të klubit spanjoll në lidhje me sulmuesin 34-vjeçar, i cili realizoi një nga golat në suksesin e fundit 0-3 në Elche.

Benzema humbet në këtë mënyrë sfidën e mbrëmjes së sotme dhe transfertën ndaj Leipzigut në Champions League, të martën e ardhshme. Carlo Ancelotti shpreson ta ketë të gatshëm goleadorin e skuadrës për takimin e 30 tetorit kundër Gironas në La Liga.

Reali kryeson kampionatin spanjoll me 28 pikë të grumbulluara në dhjetë javë kampionat. “Los Blancos” përballen sonte me Sevillan në kryeqytet, përballje që do të transmetohet në SuperSport 2 duke nisur prej orës 21:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA