Ukraina ka nevojë për një fluks të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm të ardhurash, për të ardhmen, deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë për shtyp, pas një samiti të liderëve të BE-së.

Von der Leyen tha se udhëheqësit diskutuan fondin prej 1.5 miliardë eurosh (1.46 miliardë dollarë) për Ukrainën në muaj, duke filluar që nga viti i ardhshëm, për të pasur burime të mjaftueshme për gjërat themelore. Nuk ishte e qartë nëse këto do të ishin grante apo kredi apo ndonjë format tjetër financimi.

Në maj, Komisioni Evropian propozoi ndihmën prej 9 miliardë eurosh (8.8 miliardë dollarë) në grante dhe kredi për Ukrainën për funksionimin e administratës së saj civile, por vetëm një e treta është disbursuar deri më tani.

“Udhëheqësit e BE-së përsëritën mbështetjen e tyre për Ukrainën për aq kohë sa do të ishte e nevojshme, dhe dënuan veprimet e Rusisë, por edhe përfshirjen e Bjellorusisë dhe Iranit në luftë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratë thuhet se blloku është i përgatitur të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Marrëdhëniet e Kinës me BE-në ishin gjithashtu në axhendën e diskutimeve. Liderët diskutuan nëse Pekini duhej parë si një rival, konkurrent apo partner në varësi të gjeopolitikës, tregtisë apo luftës ndaj ndryshimeve klimatike.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se BE-ja nuk dëshironte të hynte në konfrontim sistematik me Kinën, por blloku nuk mund të shfaqej naiv.

“Misioni i Kinës për të rritur dominimin e saj në Azinë Lindore dhe ndikimin e saj globalisht, dhe një marrëveshje e ngushtë partneriteti e arritur me Rusinë përpara pushtimit të Ukrainës nga Kremlini, do të ndikojnë në marrëdhëniet BE-Kinë”, tha von der Leyen.

Top Channel