Aleatëve perëndimorë u kërkohet të ndërhyjnë për të parandaluar Iranin që t’i shesë armë Moskës.
Teherani dyshohet se ka furnizuar me drone “kamikaze” ushtrinë ruse, të cilët janë përdorur në sulmet në të gjithë Ukrainën.
Irani ka mohuar furnizimin e Rusisë me dronët Shahed-136 dhe Kremlini deklaroi se forcat e tij nuk kanë përdorur dronët iranianë për të sulmuar Ukrainën.
Por dy zyrtarë të lartë iranianë dhe dy diplomatë iranianë i thanë Reuters se vendi i tyre kishte premtuar t’i siguronte Rusisë raketa tokë-sipërfaqe, përveç më shumë dronëve.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, tregoi se ishin në gjendje të rrëzonin 85% të dronëve të prodhuar nga Irani, por e kanë më të vështirë mbrojtjen nga raketat.
“Ukraina aktualisht nuk ka sisteme efektive të mbrojtjes ajrore kundër raketave balistike. Irani ka të ngjarë ta furnizojë [Rusisë], nëse bota nuk gjen një mënyrë për ta ndaluar atë”, tha ai, sipas Sky News.
SHBA ka hedhur poshtë mohimin e Iranit dhe se sipas tyre trajnerët ushtarakë iranianë ishin në Krimenë e aneksuar duke ndihmuar forcat ruse të operojnë dronët.
“Është e qartë se ata janë atje, për mua personalisht. Ata janë duke mësuar dhe ndoshta edhe duke marrë pjesë në aksione ushtarake”, shtoi më tej Ihnat.
Top Channel