Raporti mes Cristiano Ronaldos dhe Manchester United ka prekur fundin.
Zemërimi i portugezit në minutat e fundit të fitores 2-0 ndaj Tottenhamit, nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e klubit anglez.
CR7 kaloi shumë minuta në nxehje, por trajneri Ten Hag nuk e aktivizoi fare në përballjen ndaj skuadrës së Contes, me sulmuesin që nxitoi të futej në dhomat e zhveshjes përpara se të përfundonte sfida.
37-vjeçari kërkoi ndjesë për veprimin e tij, teksa pasojat janë të shumta. Ronaldo nuk do të grumbullohet për duelin e radhës në Premier League, atë ndaj Chelsea, ndërkohë që do t’i mbahet paga e dy javëve: rreth 1 milion paund.
Tek United janë lodhur me sjelljen e pesë herë fituesit të Topit të Artë dhe në Angli raportojnë se në janar do të vijë ndërprerja e bashkëpunimit mes palëve. Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i historisë së futbollit, është stërvitur mëngjesin e sotëm me ekipin U21.
Çfarë shkroi Ronaldo në rrjetet sociale: “Gjithmonë jam përpjekur të jem shembull për të rinjtë. Fatkeqësisht, kjo nuk është gjithmonë e mundur dhe ndonjëherë rrëmbehemi nga nervat e momentit. Tani ndihem sikur duhet të punoj shumë në Carrington dhe të mbështes shokët e mi të skuadrës”./ Super Sport
Top Channel