PS dhe grupi Alibeaj bashkojnë votat për Dosjet, kush janë dy socialistët që abstenuan amendamentin e demokratëve

21/10/2022 11:17

Me 94 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi votoi mbrëmë pak para mesnate ndryshimet në ligjin për “Të drejtën e informimit për dokumentat e ish Sigurimit të shtetit”

Ndryshimet parashikojnë ndër të tjera hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991.

Ligji u votua pas marrëveshjes së arritur mes deputetëve demokratë të grupimit të Enkelejd Alibeajt dhe socialistëve, dakordësi që u arritur pas pranimit nga maxhoranca të amendamentit të tyre për hapjen e plotë të dosjeve. Amendament i cili duket se nuk bindi vetëm dy prej deputetëve socialist, përkatisht Damian Gjiknuri dhe Nasip Naco, të cilët abstenuan. Pro amendamentit votuan 95 deputetë.

Ndërkohë grupimi i Sali Berishës si edhe deputetët e Partisë së Lirisë nuk morën pjesë në votimin e ligjit në tërësi.Miratimi këtij ligji zhbën certifikatat e pastërtisë të lëshuara më parë nga komisionet Bezhani dhe Mezini. I vetmi që abstenoi ndër socialistët, në votimin në tërësi të ligjit, ishte deputeti Nasip Naço.

Ndryshimet në ligjin për “Të drejtën e informimit për dokumentat e ish Sigurimit të shtetit”, u iniciuan pas raportit që Autoriteti I Dosjeve I dërgoi Kuvendit, ku thuhej se një zyrtar i lartë i shtetit me inicialet I.M, figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit.

Top Channel