Gjykata çeke liron rusin e akuzuar për pjesëmarrje në aneksimin e Krimesë

21/10/2022 17:03

Një gjykatë në Pragë ka shpallur të pafajshëm një shtetas rus i cili u akuzua për pjesëmarrje në aneksimin e paligjshëm të gadishullit të Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Gjykata e qytetit të Pragës vendosi më 20 tetor se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e Aleksandr Franchettit në organizimin e një grupi kriminal dhe burgosjen e paligjshme të 11 banorëve pro-ukrainas të Krimesë gjatë aneksimit të gadishullit.

Franchetti do të qëndrojë në paraburgim sepse vendimi i gjykatës u apelua nga prokurorët.

Franchetti u arrestua në shtator të vitit të kaluar me kërkesë të Ukrainës. Kievi e akuzon atë se ka qenë pjesëmarrës aktiv në ngjarjet në Krime në vitin 2014 duke iu bashkuar formacioneve paraushtarake të quajtura “Era e Veriut” dhe “Vetëmbrojtja e Krimesë”. Të dy grupet ndihmuan në kapjen e linjave të energjisë dhe tubacioneve të gazit gjatë aneksimit.

Raportimet e mediave çeke thanë më herët se Franchetti-t iu dha qëndrimi i përhershëm në Republikën Çeke në vitin 2000 dhe ka punuar në vend si trajner palestre.

Rusia mori kontrollin e Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014 pas rrëzimit nga pushteti një muaj më parë të presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviq. Moska u përpoq të legjitimonte aneksimin e saj me një referendum të organizuar që u konsiderua si i paligjshëm nga të paktën 100 vende./Rel

Top Channel