Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se “Putini është shumë më i butë tani dhe më i hapur ndaj dialogut se më parë” për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Nuk jemi pa shpresë,” tha Erdogan për mundësinë e negociatave. “Pashë që Putini është shumë më i butë tani dhe më i hapur ndaj dialogut se më parë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë.”
Presidenti turk theksoi se shpreson të zhvillojë bisedime me presidentët e Rusisë dhe Ukrainës në të ardhmen e afërt.
Kremlini, megjithatë, tha se një bisedë e re telefonike mes Putinit dhe Erdogan nuk është aktualisht në planet e presidentit rus, por se “ajo mund të organizohet shpejt”.
Lidhur me fjalët e Erdoganit se Putini është zbutur dhe është i hapur për dialog më shumë se më parë, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov thotë se Putini ka qenë i hapur për bisedime me Ukrainën që në fillim.
“Nëse ju kujtohet, presidenti Putin u përpoq të niste bisedimet me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara edhe para operacionit special ushtarak.
“Putini ishte i hapur për negociata kur pothuajse u ra dakord për një dokument mes [negociatorëve] rusë dhe atyre ukrainas. Pra, në këtë drejtim, asgjë nuk ka ndryshuar. Pozicioni i palës ukrainase ka ndryshuar… Ligji ukrainas tani ndalon çdo negociatë.”
Top Channel