“Ballist foltoreje”, Rama-Shehaj vijojnë replikat / Deputeti: Biznesi sipas ligjit, me kontratë! Kryeministri: Ndërtuesi shkeli lejen, objekti u sekuestrua

21/10/2022 14:30

Pas një sërë “pasash” me komente ndërmjet tyre rreth ndërtimeve pa leje, kryeministri Rama ka reaguar sërish në drejtim të demokratit Agron Shehaj.

Rama iu drejtua Shehajt me termin”Ballist i foltores”, duke i thënë se ai nuk njeh ligjin, pasi duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi! Ai i quajti zakon ballistash nga fshehjet në kotece tek futjet në pallate pa leje.

“Ballisti i foltores paska nxjerrë një kontratë qeraje duke treguar një leje ndërtimi, po nuk e njeh ligjin sepse në parlament flet për biznesin e tij, që nuk duhet ta fuste në një ndërtim të paligjshëm dhe duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi! Sa për lejen e ndërtimit ajo është shkelur, pra është bërë nul nga vetë ndërtuesi,që duke tejkaluar edhe 10%-shin e tolerancës ligjore e ka bërë ndërtimin objekt të sekuestrimit sipas ligjit! Po s’ke ç’i bën, nga fshehjet në kotece tek futjet në pallate pa leje, zakon ballistash!”- u shpreh Rama në Twitter.

Në replikat e mëparshme, pasi Rama justifikoi bllokimin e biznesit të deputetit demokrat si një ambient në një ndërtesë pa leje, Shehaj i tha kryeministrit se nuk është faji i tij, pasi ambienti i punës ishte i marrë me qira dhe nuk ka të bëje me lejen e ndërtimit.

Gjatë takimit me qytetarët e Elbasanit ditën e sotme, Rama e ka komentuar sërish këtë çështje duke thënë se policia nuk ka shkuar tek biznesi i deputetit por tej ndërtesa pa leje dhe ka bllokuar godinën. Gjatë këtij komenti Rama e quan Shehajn ballist duke i thënë se del i fshehur nëpër kotece brenda ndërtimeve pa leje.

“Del pasdite një deputet dhe tregon se si regjimi po i prish biznesin. E vërteta është komplet tjetër. Dhe kanë edhe një pafytyrësi monumentale. Policia nuk ka vajtur te biznesi I deputetit. Policia ka vajtur në mbështetje të inspektoriatit kombëtar të mbrojtjes së territorit, në vazhdën e operacionit për të bllokuar dhe konfiskuar metrat katrorë të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi nga ata në thonjëza oligarkët që na i faturojnë ne por në fakt janë këta, ka bllokuar godinën për të cilën pronarja thoshte e kam hotel, dhe brenda na gjendet një biznes i një deputeti, një ballist foltoreje. E them ballistin se është edhe për të qeshur, se dalin të fshehur nëpër kotece, doli brenda me biznes në një ndërtim pa leje, në një ndërtim të jashtëligjshëm. Dakord ka hyrë atje, këta se kanë problem të shkelin rregulla e ligje, sidomos me ndërtime kanë një raport patologjik se i duan pa leje, po si ka mundësi del në parlament dhe kap foltoren dhe fillon ‘policia, Rama, duan të më mbyllin gojën’. Po si t’i mbyllim gojën? Ai sa herë flet ne na jep pikë. Bën dhe viktimën e fjalës së lirë.”- tha Rama nga Elbasani.

Shehaj reagoi pas këtij komenti të Ramës duke thënë se ai vazhdon të gënjejë, pasi e ka marrë me qira në praninë e noterit ambientin me leje.

Ai shtoi se Rama do që t’i bëjë pis figurën me shpifje e të fshehë aferën me firmën e tij në shpalljen e Xhaçkës investitore strategjike.

“Rama vazhdon të gënjejë. Kompania ime ka marrë me qera para nje noteri një ambient me leje, Rama duhet të kontrollonte nëse është shkelur leja. Ky është thjeshtë një pretekst për intimidim. Rama kërkon të fshehë aferën me firmën e tij në shpalljen e Xhaçkës investitore strategjike. Do të më bëjë pis me shpifje, por unë nuk tërhiqem, e verteta do dalë. Kjo është firma e Veliajt në lejen e ndërtimit.”

Top Channel