Buxheti i ri 2023/ Qeveria pret të arkëtojë më shumë nga rritja e çmimeve, lojërat e fatit dhe profesionet e lira

21/10/2022 12:19

Qeveria pritet të mbledhë 625.7 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2023. Por, nga do të vijnë këto të ardhura?

Pjesa  më e madhe pritet të vijë nga TVSH, apo e ashtuquajtura taksa e konsumit, në vlerën 211 mld lekë, mbi 15 mld lekë më shumë se vitin e kaluar, rritje që pritet të vijë prej çmimeve të larta dhe ecurisë së ekonomisë.

Ndikim të madh në rritjen e të ardhurave pritet të ketë edhe akzica. Qeveria këtë e synon nëpërmjet importit më të lartë të mallrave si dhe rritjes së tarifës për birrën, verën dhe gazin natyror.

Ndikim në rritjen e të ardhura për arkën e shtetit pritet të japin edhe masat e reja të paketës fiskale. Ligjet më të rëndësishme të kësaj pakete janë ai për tatimin mbi të ardhurat personale, ligji për tatimin e jashtëzakonshëm energjetik si dhe rifutja e basteve sportive. Sa I takon tatimit mbi të ardhurat, parashikohet rritja e kufirit të patatueshëm të pagës nga 40 deri në 50 mijë lekë si dhe futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale për profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime.  Buxheti pret të mbledhë 2 mld lekë në vit nga futja në skemën e tatimit të profesionistëve të lirë. Po kaq pritet të grumbullojë çdo vit edhe nga miratimi I ligjit të lojërave të fatit për bastet sportive nga 1 janari 2023.

Më shumë para do të hyjnë në buxhet edhe nga taksa speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që eksportojnë. 33% parashikohet masa e taksimit për fitimet e papritura të këtyre subjekteve që pritet t’i sjellin arkës së shtetit 8.3 miliardë lekë në vit.

Qeveria nuk ka harruar pa llogaritur edhe të ardhurat që do vijnë në buxhet nga rritja e çmimeve, në masën 5.7 miliardë lekë.

Si rrezik që këto taksa të mos mblidhen renditen ngadalësimi mëtejshëm ekonomik, përkeqësimi I situatës globale apo ndryshimi i kursit të këmbimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA