Qeveria nuk ka parashikuar koncesione të reja në buxhetin e vitit 2023, por mund të rikthejë disa prej projekteve ekzistuese.

Kështu projekte si infrastruktura e çelësave publikë për fiskalizimin apo rruga Milot – Thumanë pritet të bëhen pjesë e buxhetit të ardhshëm, rruga Kashar – Leka apo Lekaj –Fier. Një tjetër që pritet të hyjë në buxhet është edhe aeroporti i Sarandës. Këto janë parashikime buxhetore dhe në pritje për tu implementuar.

Ndërkohë këtë vit përfundon kontratat për pullat fiskale, ndërsa ende nuk dihet nëse Ministria e Financave do ta japë sërish me koncesion këtë shërbim. Në 2022-n mbaruan edhe tre kontrata të tjera, si ajo e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit dhe rimbursimi i rrugëve për ndërtimin e HEC-it mbi lumin Devoll.

Pagesat nga buxheti drejt koncesioneve vitin e ardhshëm do arrijnë  masën e 13.4 miliardë lekëve apo gati 115 milionë euro. Kjo shumë vjen me 4% rritje nga viti paraardhës. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve shkon për mbështetjen e koncesioneve në shëndetësi si sterilizimi apo check upi, ndërsa pas tyre vijnë projektet infrastrukturore si Rruga e Arbrit.

Koncesione të tjera që do vijojnë të marrin lekë nga buxheti është  ai për portin e jahteve Orikum – Dukat, si dhe ai i skanimit në Dogana. Bashkia e Tiranës do të marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme për riparimin e objekteve arsimore, një projekt që vazhdon nga 2017 dhe mbaron në 2025-ën në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA