Vdekja e Lear Kurtit/ Partia e Lirisë: Ministri i Brendshëm të japë menjëherë dorëheqjen

20/10/2022 14:11

Partia e Lirisë ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti.

Përmes një deklarate, të sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzon policinë si autor të vrasjes së tij, ndërsa bëhet thirrje për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi.

“Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Lear Kurti, dënojmë me ashpërsi aktin kriminal të përsëritur të vrasësve me uniformë të Policisë së Shtetit, që po u marrin jetën të rinjve shqiptarë në rrugë dhe në ambientet e Komisariateve, si Klodian Rasha dhe Ilvi Meta.
Humbja e një jete në një moshë kaq të re është jo vetëm një tragjedi familjare por trondit thellë besimin e të gjithë qytetarëve tek organet ligjzbatuese, misioni i të cilave është pikërisht mbrojtja e jetës, rendit dhe sigurisë publike.
Bëjmë thirrje për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike të të riut Lear Kurti dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme!

Kjo ngjarje kaq tragjike, që ka tronditur sërish opinionin publik nuk do të jetë e fundit sa kohë në pushtet të jetë Edi Rama, Bledi Çuçi dhe falangat e tyre të inkriminuara në Policinë e Shtetit, që udhëhiqen me parimin: “Pa krim nuk ka zhvillim”.
Ndaj u bëjmë thirrje të gjithë të rinjve në mbarë vendin të shprehin revoltën e tyre të fuqishme ndaj kësaj vrasje mizore që rëndon në ndërgjegjen e Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Ministri i Brendshëm duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, shkruhet në deklaratë.

32- vjeçari ndërroi jetë vetëm pak çaste pasi u shoqërua nga efektivë të komisariatit nr. 3 në Tiranë. Zyrtarisht policia tha se i riu, i cili tentoi të largohej me vrap për t’i shpëtuar efektivëve, u ndje keq në komisariat ndërsa u dërgua prej tyre me puls të dobët në spital.

Por interesimit të Top Channel, Spitali i Traumës i tha se Kurti kish mbërritur në spital pa shenja jete. E ndërsa institucionet ‘luajnë’ me deklaratat, dhimbja e babait për humbjen e të birit është e madhe, ndërsa misteri mbi atë se çfarë ndodhi i rëndon edhe më shumë.

Për Top Channel, Isai akuzoi policinë për vdekjen e djalit, trupin e pajetë të të cilit tha se ende nuk e kishte parë. Ai mohoi që I biri të kishte probleme shëndetësore, ndërsa tha se ishte dy metra djalë.

Top Channel