“Të kanë rënë ca rubla”/ Balla dhe Berisha, ironizojnë dhe akuzojnë njëri-tjetrin në Kuvend

20/10/2022 20:25

Seanca plenare e kësaj të enjteje vazhdon prej disa orësh, e shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Në mbrëmje, ishte ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që shkëmbyen akuza të ndërsjellta.

Berisha, në fjalën e tij, foli për protestën e pedagogëve, që kërkojnë rritje pagash. Ai komentoi akuzat që po bëhen ndaj Sandër Kovaçit, i cili është në krye të kësaj proteste dhe hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

Pas tij, Foltores iu drejtua Taulant Balla, që i tha Berishës se i kanë rënë disa rubla, duke rikthyer sërish temën e financimeve ruse në Partinë Demokratike.

“Sali ke harruar rublat këtu, hajde merri! S’ke thënë asnjë fjalë për sulmin kibernetik, duhet të flasësh për këtë! Natyrshëm PD zyrtare ka bërë disa deklarime këtu dhe natyrshëm ish-presidenti, ish-komandant i forcave të armatosura të dënonte sulmin kibernetik të Iranit. Sot Irani është aleat me Putin. Në ditët në vijim do bëjmë publike fakte, se aspak rastësisht vota jote në 2011 në 25 janar 2011 është dhënë pro një rezolute të sponsorizuar nga Putin. Je informuar që në 2008 për atë rezolutë. Ti e dije që po planifikohej një baltë e madhe kundër Shqipërisë dhe UÇK, asnjë reagim nga ty nga MM apo Ministria e Jashtme, madje me porosinë tënde është votuar pro rezolutës. I ka bërë shqiptarët në sytë e evropianëve vrasës dhe trafikant organesh njerëzve. Ti ke hyrë në listëpagesat e Kremlinit Sali! Do dalin faktet Sali”.

Fjalimi i Ballës u shoqërua nga të qeshura dhe ironi që Berisha i bënte nga vendi.

Top Channel