SHBA-ja ka prova të pranisë së forcave iraniane në Krime

20/10/2022 21:54

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se SHBA-ja ka prova se trupat iraniane janë “të angazhuara drejtpërdrejt në terren” në rajonin e Krimesë duke mbështetur sulmet ruse me dronë mbi infrastrukturën e Ukrainës dhe popullsinë civile.

Zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve se Irani ka dërguar një “numër relativisht të vogël” personeli në Krime, në gadishullin e aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Rusia në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar në 2014-n, për të ndihmuar trupat ruse në lëshimin e dronëve të prodhuar nga Irani kundër Ukrainës.

“Informacioni që kemi është se iranianët kanë vendosur staf dhe ofrojnë mbështetje teknologjike në Krime, por janë rusët ata që po bëjnë pilotimin e dronëve”, tha Kirby.

Shtetet e Bashkuara zbuluan për herë të parë këtë verë se Rusia po blinte mjete ajrore iraniane (pa pilot) për të sulmuar Ukrainën. Irani i ka mohuar pretendimet që i ka shitur municionet e saj Rusisë.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Irani mund të ketë dislokuar personel ushtarak për të ndihmuar rusët pjesërisht për shkak të mungesës së njohurive të rusëve me dronët e prodhuar nga Irani. Informacione të inteligjencës treguan se rusët u përballën me probleme teknike me dronët iranianë menjëherë pas dorëzimit të armëve në gusht.

“Vetë sistemet nuk po performonin sipas standardeve që me sa duket klientët prisnin,” tha Kirby. “Kështu që iranianët vendosën të transferojnë disa teknikë për t’i ndihmuar rusët t’i përdorin ato me një rezultat më të mirë.”

Administrata Biden publikoi detaje të mëtejshme në lidhje me përfshirjen e Iranit në luftën e Rusisë në Ukrainë. Administrata ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit lidhur me shtypjen brutale të qeverisë ndaj protestës antiqeveritare në javët e fundit, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgimin e sigurisë iraniane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA