Pas Gambias, Indonezia ndalon shurupet e fëmijëve pas 99 vdekjeve fëminore këtë vit (fotot)

20/10/2022 18:35

Indonezia ka ndaluar shitjen e mjekimeve në formë shurupi teksa është duke hetuar vdekjet e rreth 100 fëmijëve vetëm këtë vit, teksa paralajmëron se lëngjet për kollën ose të ftohtit, kanë ingredientë që lidhen me dëmtime fatale të veshkave.

Lëvizja vjen pas disa paralajmërimeve të enteve Perëndimore për disa shurupe kolle të prodhuara në Indi, të cilat mund të lidheshin me dëmtime fatale të veshkave ose vdekje në rreth 70 fëmijë në Gambia.

Indonezia thotë tashmë se po heton 206 raste të dëmtimeve të rënda në veshka të fëmijëve nën pesë vjeç, si dhe 99 vdekje, edhe pse numri i vërtetë i rasteve mund të jetë më i madh, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Sot ministri i shëndetësisë tha se dy ingredientë të lidhur me lëndimet, ishin zbuluar në produktet e gjetura në shtëpinë e disa pacientëve.

“Disa shurupe të përdorura nga të lënduarit nën pesë vjeç u provuan të përmbanin glikol etileni dhe glikol dietileni, përbërës që supozohet të mos ishin aty”, tha Budi Gunadi Sadikin, raportohet nga agjencia Reuters.

Në një analizë laboratorike të OBSH të produkteve të kontaminuara që po hetohen në Gambia, u konfirmua se glikoli etilenit dhe dyetilenit ishin në masa të papranueshme në mostrat e marra.

Autoritetet thanë se produktet e përdorura në Gambia “dhe në vende të tjera” prandaj ato duhet të kërkohen dhe të hiqen nga qarkullimi, për të parandaluar lëndime të tjera të pacientëve”.

Por agjencia e mjekimeve në Indonezi tha se katër shurupet e analizuara në Gambia, të prodhuara nga kompania indiane Maiden Pharmaceuticals, nuk ishin në tregun vendas.

Ministria indoneziane nuk tha se cilat marka shurupesh po heton, por ka vendosur një masë totale ndalimi për të gjitha mjekimet e lëngshme, teksa është duke hetuar fenomenin e rëndë.

Masa do të vijojë deri në përmbylljen e hetimeve për të gjitha shurupet e paregjistruara që kanë shkaktuar vdekje të fëmijëve prej përmbajtjes së etilenit dhe glikolit të dyetilenit.

Indonezia nisi të regjistronte lëndimet e fëmijëve prej janarit, teksa ministria tha se “një rritje e mprehtë” është regjistruar prej gushtit.

Më herët në Gambia, vdekjet e 70 fëmijëve kishin shkaktuar një debat të gjerë kombëtar, aq sa autoritetet nisën krijimin e një laboratori kombëtar të kontrollit të cilësisë dhe ashpërsim të rregullave të liçensimit.

Në një raport hetimi të lëshuar në Gambia më 11 tetor, policia emëronte kater shurupet e fëmijëve të kompanisë Maiden Pharmaceuticals, të cilat ishin importuar në vend me anë të një grupi farmaceutik nga SHBA.

Në raportin e parë nga agjencia Reuters, kompania amerikane kishte porositur 50,000 shishe me shurupët, nga të cilat 8,538 ishin shpërndarë, ndërsa të tjerat u sekuestruan.

Hetimet për ngjarjen e rëndë vazhdojnë.

FOTO GALERI
2/3
Indonezia thotë tashmë se po heton 206 raste të dëmtimeve të rënda në veshka të fëmijëve nën pesë vjeç, si dhe 99 vdekje

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA