Parlamenti Arab: Aktet e forcave izraelite në Palestinë kërcënojnë paqen në të gjithë rajonin (fotot)

20/10/2022 19:26

Parlamenti Arab, organi legjislativ i Ligës së Vendeve Arabe, dënoi sot sulmet ushtrisë izraelite që vazhdojnë prej disa javësh kundër palestinezëve në tokat e pushtuara të Xhenin, Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor.

Parlamenti Arab paralajmëroi se veprimet e Izraelit që përshkallëzojnë tensionet në territoret e pushtuara palestineze kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon, shkruan rrjeti shtetëror turk Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim, Parlamenti Arab, organi legjislativ i Ligës Arabe, dënoi sulmet e forcave izraelite si dhe përdorimin disproporcional të forces ndaj palestinezëve, si dhe “terrorin” e kolonëve hebrenj të ardhur në tokat e pushtuara.

Parlamenti tha se tokat palestineze janë uzurpuar, judaizimi dhe spastrimi etnik vazhdon në Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor, ku janë rritur ekzekutimet në rrugë dhe po shkatërrohen shtëpitë dhe bizneset e palestinezëve.

Përfaqësuesit shtonin se kjo është një sfidë e qartë për vullnetin dhe vendimet e komunitetit ndërkombëtar.

Në deklaratë thuhet se veprimet e forcave izraelite që rezultojnë me vdekje dhe plagosje në territoret e pushtuara palestineze, kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon.

Gjithashtu i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara për të ushtruar presion ndaj Izraelit që të ndalojë aktet e dhunës dhe sulmet kundër palestinezëve.

Jeruzalemi Lindor i pushtuar dhe Bregu Perëndimor kanë qenë skenë e një rritjeje të incidenteve të armatosura kohët e fundit.

Lucia Elmi, koordinatore për Palestinën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, tha në një deklaratë me shkrim më 19 tetor se “të paktën 105 palestinezë, 26 prej tyre fëmijë, janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga fillimi i vitit”.

FOTO GALERI
1/3
Parlamenti Arab dënoi sulmet ushtrisë izraelite që vazhdojnë prej disa javësh kundër palestinezëve në tokat e pushtuara të Xhenin, Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor

Top Channel