Fermerët dalin në rrugë me traktorë kur kryeministrja kërkon të taksojë gromësimat dhe ‘lëshimet e ajrit’ të kafshëve në Zelandën e Re (fotot)

20/10/2022 15:24

Fermerët janë detyruar të lënë fushat dhe dalin në rrugët e qyteteve të Zelandës së Re për të protestuar planet e qeverisë për të taksuar “emetimet e gazeve karbonike nga trupi i kafshëve” pra gromësimat dhe lëshimet e ajrit me jashtëqitjen, për të cilat ekspertët thonë se ndikojnë në ambjent.

Karvane traktorësh, fuoristrada dhe automjete fermash bllokuan trafikun në kryeqytetin Wellington, në Auckland e qytete të tjera kryesore, ku protestuesit kërkonin që qeveria e qendrës së majtë e Jacinda Arden të heqë dorë nga planet që ata quanin të “taksimit të gromësimës e pordhës”.

Në fillim të muajit kryeministrja Jacinda Ardern tha se do të bëhej “e para në botë” që takson metanin dhe oksidin e azotit të lëshuar nga rreth 5 milionë lopët e Zelandës së Re, dhe 26 milionë delet e saj.

Fermerët e mbledhur sot mbanin pankarta me mbishkrimet “Politikë që vjen erë” duke paralajmëruar se masa shtrenjton akoma më shumë ushqimet dhe vë në rrezik mjetet e tyre të jetesës.

Fermeret avanconin në karvanë të gjata automjetesh në qytetet kryesore të Zelandës së Re, teksa një prej tyre kishte vendosur prapa mjetit të tij mbishkrimin “takso metanin që del nga b**ha ime” në Wellington.

“Fermerët nuk durojnë dot më”, tha një protestues në Wellington që dha emrin vetëm si Chris. “Ata po vështiresojnë punën e fermerëve, kjo qeveri nuk po na mbështet, është shumë keq për momentin”.

Shkencëtarët thonë se kafshët e fermës prodhojnë gaz metan dhe oksid azoti si jashtëqitje e të ushqyerit me bar dhe tagji, të cilat sipas tyre rrisin temperaturën e planetit.

Ardern thotë se taksa do të bëjë që fermerët të vendosin çmime më të larta për mishin e prodhuar pa dëmtuar klimën, por ka sinjalizuar se mund të negocjohet.

Protestues qytetarë iu bashkuan fermerëve në disa rajone, ashtu si dhe disa kryebashkiakë të vendit që kanë deklaruar mbështetje ndaj protestës.

FOTO GALERI
1/8
Fermerët dalin në rrugët e qyteteve të Zelandës së Re për të protestuar planet e qeverisë për të taksuar “emetimet e gazeve karbonike nga trupi i kafshëve”

Top Channel