Dosjet e ish-Sigurimit, Alibeaj i kërkon falje shqiptarëve: Ndjesë! Jemi kokulur për hapjen e plotë të dosjeve

20/10/2022 20:47

Deputeti Enkelejd Alibeaj i kërkoi falje shqiptarëve sot nga foltorja e Kuvendit, për vonesën e hapjes së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit.

Alibeaj tha se të gjithë në Kuvend duhet të jenë kokulur për mos-hapjen e plotë të dosjeve, e cila duhet të vendosë drejtësinë në vend për familjet shqiptare që kanë vuajtur nga komunizmi.

Ai tha se hapja e dosjeve nuk duhet vetëm për të parë shërbyesit, por ekzekutorët, ekspertët, gardianët e burgjeve, të cilët janë përgjegjës për vdekjen e njerëzve të pafajshëm

Asnjë triumf nuk ka në këtë çështje, nuk do bëj falenderim. Madje unë jam kokulur për hapjen e plotë të dosjeve. Dhe kështu duhet të jenë të gjithë, kokulur. Asgjë triumfaliste ka sot nëse arrijmë këtë detyrim të mohuar dhe gjithsecili nga ne duhet të bëj dhe të ulë kokën. Ajo që ne kemi sugjeruar për hapjen e dosjeve të kujtdo nuk është thjesht ndarja simbolike me komunizmin e diktaturën por është një detyrim moral. Nuk bëhet thjesht hapja e dosjeve për të parë se kush kanë qenë shërbyesit, hapen për të parë, ekzekutorët, ekspertët, gardianët e burgjeve, të cilët vdekjen e njerëzve të pafajshëm e kishin bukën e ditës. Do duhet ta hapim, do duhet të gjejmë kurajën. Në 2022 vendi i cili kërkon integrimin në Evropë duhet ta kishte bërë më parë këtë gjë. Na falni shqiptarë kudo, ju të cilët keni vuajtur, ju që keni hequr të zinjtë e ullirit nga punëtorë e bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ndjesë!“- tha Alibeaj nga Foltorja.

Sot Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet për ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku dy grupet parlamentar të PS dhe PD kanë bërë propozimet e tyre.

Top Channel