Bashkimi Evropian bie dakord: Sanksione të reja ndaj Iranit pas furnizimit të Rusisë me dronë

20/10/2022 13:34

Anëtarët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për sanksione të reja kundër Iranit, për furnizimin e dronëve që janë përdorur për të sulmuar Ukrainën.

Presidenca çeke e BE-së tha këtë të enjete se tashmë kanë rënë dakort për masat kundrejt shtetit iranian, të cilat do të hyjnë në fuqi pasdite.

“Ambasadorët e BE-së ranë dakord për masat kundër subjekteve që furnizojnë dronët iranianë që goditën Ukrainën. Shtetet e BE-së vendosën të ngrijnë asetet e tre individëve dhe një entiteti përgjegjës për dërgesat me dron”, tha presidenca në Twitter.

Ai shtoi se BE-ja është gjithashtu e përgatitur të zgjerojë sanksionet ndaj katër subjekteve të tjera iraniane që tashmë janë paraqitur në një listë të mëparshme sanksionesh.

Sipas CNN, Irani ka mohuar në mënyrë të përsëritur furnizimin e Rusisë me armë për përdorim në Ukrainë, duke thënë se “nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë këtë gjë”.

Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së Nabila Massrali deklaroi se blloku kishte prova të mjaftueshme për të sanksionuar Iranin në lidhje me furnizimin me dron në Rusi, të cilët besohet se janë përdorur kundër Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka bërë një bilanc duke deklaruar se janë përdorur 37 drone iraniane Shahed-136 dhe tre raketa lundrimi të lëshuara nga Rusia, gjatë natës të së dielës dhe të hënën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA