Primaret, Berisha: Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të votojnë të parët, më pas qytetet e tjera

19/10/2022 20:01

Ish-kryeministri Sali Berisha bëri me dije se Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të votojnë të parët për primaret për zgjedhjen e kandidatëve për lokalet e vitit të ardhshëm.

Nga takimi që zhvilloi me krerët e degëve në Tiranë, Berisha tha se në këto qytete do të ketë përshpejtim dhe më pas qytetet e tjera.

“Në këto primare ne jemi të hapur për çdo anëtar apo simpatizant të PD të kandidojë dhe cilido që mendon se këto janë vetëm për anëtarët, ju them që janë edhe për simpatizantët. Ata janë të lirë të vijnë të votojnë bashkë me anëtarësinë tonë. Ne nuk ofrojmë një diçka të themi të kontrolluar nga kryetari i degës, por një praktikë të vërtetë që cilido që do të provohet është i mirëpritur.

Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të jetë i suksesshëm. Kam besim në përgjegjësinë, përkushtimin tuaj se ju bashkë me anëtarët e kryesive, të seksioneve dhe grupseksioneve do t’i shndërrojnë primaret në një histori suksesi. Është bërë një lloj axhende, kalendari dhe në bazë të tij do të ecet.

Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin do të përpiqemi ta përshpejtojmë dhe me të tjerat, dora dorës”- tha Berisha në konferencën për shtyp.

Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar dje kalendarin e primareve. Kandidatet zyrtarë të Berishës do të dalin 5 muaj para zgjedhjeve lokale. Në 18 deri 6 nëntor, do të ketë negociata me aleatët dhe evidentim kandidaturash për primaret. Në 6- 13 nëntor, Këshilli Kombëtar filtron kandidaturat dhe dalin emrat zyrtare. Në 13 nëntor deri datë 27, fushata e primareve dhe në 4 dhjetor zhvillohen primaret në gjithë vendin.

Top Channel