“Paga minimale 400 mijë lekë duhet të arrihet sa më shpejt”/ Rama: Kemi punuar shumë, por nuk them të më duartrokisni, ka ende shumë punë

19/10/2022 10:39

Sot është dita e dytë e turit të takimeve të Kryeministrit Edi Rama në bashkitë e vendit, ku po diskutohet mbi punët e qeverisë vendore.

Kryesocialisti ka zgjedhur Gjirokastrën sot për të zhvilluar një takim me banorët atje, ku ka folur rreth përballimit të sfidave të kohës, në prag të një dimri që është pagëzuar si dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se qeveria ka punuar shumë gjithë këto vite, por megjithatë shtoi se është shumë larg pikës ku vendi duhet të jetë.

Rama përmendi rritjen e pagës minimale, si një nevojë emergjente për përballimin e rritjes së çmimeve dhe krizës globale. Ai tha se duhet që shumë shpejt paga minimale të arrijë në 400 mijë lekë të vjetra.

“Duhet kursyer e nuk duhen dëgjuar hienat e të djathtës së rublave që skërmiten nëpër klubet e netëve televizive duke sharë ministren e energjisë apo ndonjë tjetër që flet për kursim. Ne duhet ta importojmë një pjesë të energjisë, edhe sikur ti kemi hidrocentralet plotë, ne përmbushim vetëm 75% të nevojave, tjetrën duhet ta importojmë prandaj po mundohemi të gjejmë burime të tjera.

Të gjitha këto duan edhe kohën e tyre dhe kjo krizë erdhi pa na pyetur. Po bëjmë të pamundurën që inflacionin e luftës dhe krizën e çmimeve ta menaxhojmë sa më mirë. Prandaj kemi bërë rritjen më të madhe të pensioneve të vit, por nuk mjafton. Nuk jam duke thënë të më duartrokisni, jemi shumë mbrapa, duhet ta rrisim më shumë pagën minimale. Por kishim shumë për të rregulluar nga e kaluara.

Ne në planin tonë e kishim që të arrijmë 400 mijë lekëshin si pagë minimale  para mandatit, duhet ta rrimë më shpejt. Duhet të rrisim më shpejt pagat e punonjësve të shtetit. Do të kemi buxhetin 2-fish të 2013. Për Shqipërinë nuk po shkon keq e më keq, po shkon mirë e më mirë por jo sa duhet të shkojë. Sepse na ranë shumë kriza, tërmeti, pandemia, lufta e këto po kalohen me sukses.”- tha Rama.

Top Channel