Ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias që ka udhëtuar drejt Kievit mëngjesin e sotëm ka takuar homologun e tij ukrainas D.Kuleba.
Mediat greke bëjnë me dije se gjatë takimit janë dëgjuar sirenat për sulm ajror nga forcat ruse dhe dy ministrat kanë ndërprerë takimin dhe kanë shkuar në një strehim të nëndheshëm.
Sipas njoftimit të fundit të Ministrisë së Jashtme greke Dhendias dhe përfaqësia diplomatike greke bashkë me atë ukrainase janë mirë dhe ndodhen në vend të sigurtë.
Dhendias që ka udhëtuar gjithë natën nga Polonia, ka vendosur një tufë me lule tek pallati në Kiev ku para disa ditësh janë vrarë nga bombardimet ruse pesë qytetarë ukrainas.
Më pas ai ka shkuar në ambasadën greke ku u takua me presidentin e Grupit të Miqësisë të Parlamentit të Ukrainës, rektorin e Universitetit Shtetëror të Mariupolit dhe të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës greke.
Ai ka biseduar për diplomacinë parlamentare, marrëdhëniet Greqi-Ukrainë, pushtimin rus në Ukrainë, Bashkimin Evropian, çështje akademike dhe diasporën greke, thuhet në një postim përkatës të Ministrisë së Jashtme në Twitter. Burime diplomatike bëjnë me dije se Dhendias do të takoji edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Top Channel