Torturimi i vazhdueshëm i të burgosurve ukrainas në qytetin Izjum, në lindje të Ukrainës, është pjesë e “politikës dhe planit” të ushtrisë ruse, vlerëson organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.
Izjumi, i cili ndodhet në rajonin e Harkivit, u mor nga forcat ruse shumë shpejt pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, dhe u çlirua nga luftëtarët ukrainas muajin e kaluar.
Pas rikthimit të kontrollit, forcat ukrainase gjetën një varr masiv në qytet, me mbi 400 trupa, përfshirë 30 me shenja torture.
“Forcat ruse dhe të tjerët që veprojnë nën komandën e tyre, torturuan në mënyrë rutinore të burgosurit gjatë pushtimit të tyre gjashtëmujor të Izjumit”, thotë Human Rights Watch në raportin e publikuar të mërkurën.
Organizata, me seli në Nju Jork, thotë se intervistoi më shumë se 100 të mbijetuar, të cilët, mes tjerash, folën për goditje me elektroshok, zhytje në ujë, rrahje të rënda e kërcënime me armë.
Të mbijetuarit identifikuan së paku shtatë vende në Izjum, përfshirë dy shkolla, ku thanë se ushtarët rusë i kanë burgosur dhe abuzuar.
“Dhuna mizore dhe abuzimi në Izjum nuk ishin incidente të rastësishme”, tha Belkis Wille nga kjo organizatë.
“Viktima të shumta ndanë me ne rrëfime të besueshme të përvojave të torturës gjatë marrjes në pyetje në objekte që kontrolloheshin nga forcat ruse dhe vartësit e tyre – çfarë lë të kuptohet se ky trajtim ishte pjesë e një politike dhe plani”, tha Wille.
Të arrestuarit, që u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre ose nga vende të tjera, u mbajtën deri në 14 ditë.
Të gjithë të burgosurit meshkuj thanë se u goditën me elektroshok, ose u rrahën me duar, kondakë pushkësh, tuba metalikë dhe objekte të tjera. Një e burgosur grua, ndërkaq, i tha organizatës Human Rights Watch se ishte rrahur me grushte dhe se ishte kërcënuar me përdhunim.
“Gjetjet tona tregojnë se trupat ruse kanë kryer abuzime të tmerrshme në shumë zona që kanë pushtuar dhe ka shqetësime reale për abuzime të ngjashme në zona të tjera, ku vazhdojnë të kenë kontrollin”, tha Wille.
Të gjithë të arrestuarit, thuhet në raport, thanë se janë urdhëruar t’i zbulojnë emrat e banorëve të Izjumit që kanë shërbyer në forcën e policisë ose në Forcat e Mbrojtjes Territoriale.
Disa u akuzuan për posedim armësh ose drogash, ndërsa dy thanë se janë pyetur drejtpërdrejt nëse e mbështesin Rusinë.
Të gjithë të intervistuarit thanë se ushtarët rusë u kanë vjedhur gjësende, përfshirë para, stoli, pajisje elektronike dhe makina.
“Ne ende po marrim informacione për krimet dhe abuzimet tjera të kryera kundër qytetarëve në Izjum gjatë pushtimit rus, por është e qartë se të mbijetuarit kanë nevojë për ndihmë tani”, tha Wille.
Pas tërheqjes së forcave ruse, Izjumi ka mbetur nën rrënoja. Politikanët lokalë kanë thënë se mbi 80 për qind e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar.
Ukraina ka thënë se ka identifikuar më shumë se 21.000 krime të mundshme lufte – përfshirë vrasjen e civilëve dhe përdhunimin – të kryera nga trupat ruse, prej se presidenti i tyre, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin në fund të shkurtit.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dërguar tashmë një ekip hetuesish dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore në Ukrainë për t’i hetuar këto pretendime.
Qeveria ruse ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët, duke akuzuar Ukrainën dhe Perëndimin për fabrikimin e provave./rel
Top Channel