Rama me rektorët: Koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme sepse kërkojnë sindikata, ka mbaruar

18/10/2022 12:04

Nga takimi me rektorët e universiteteve publike kryeministri Edi Rama e shikon zgjidhjen e kërkesave të pedagogëve për rritje page tek shfrytëzim i hapësirës së autonomisë

“1/3 financim i shtetit, 2/3 financime të garantuara nga vetë universiteti, është thelbi i drejtimit që ne e kemi marrë, por që akoma jemi larg së pasuri të konsoliduar. Koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme sepse kërkojnë sindikata, ka mbaruar bashkë me reformën e arsimit të lartë, e cila është e shkruar autonomia është liri, është dhe përgjegjësi”, tha Rama.

Pavarësisht se në shumicën e universiteteve në të gjithë vendin, pedagogët për të dytë ditë janë në grevë, kryeministri nuk dërgoi asnjë mesazh se qeveria do të rishikojë pagat e tyre.

 “Do të mbështesim më shumë ata që i sjellin më shumë shoqërisë e ata që janë në gjendje t’i ofrojnë më shumë studentëve. Nuk ka rrugë tjetër. Patjetër që nuk mund të ketë rritje page për universitetet që të mos jetë një rritje page e kombinuar, midis mbështetjes së shtetit dhe të ardhurave që universiteti i garanton, jo nga tarifat e studentëve, ajo është një bazë, por nga futja si aktor në treg. Prandaj ai komponenti i tretë komplet i munguar duhet të jetë e do të jetë për ne prioritet”, tha Rama.

Duke folur për financimet e shtuara kryeministri duke marrë si shembull universitetin e Tiranës, theksoi se më shumë se 400 pedagogë nga afro 800 që ka universiteti që kanë akses në financime të huaja dhe natyrisht të merituara plotësisht.

Top Channel