Pedagogët bojkotuan mësimin për pagat/ Rama: Duhet të jenë aktorë në treg dhe magnet për të thithur fondet nga të katërta anët

18/10/2022 10:30

Teksa pedagogët po protestojnë për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me rektorët e universiteteve, është shprehur se është në dorën e universiteteve rritja e pagave për profesorët.

Ai tha se ndryshe nga institucionet e tjera, universitetet janë midis shtetit dhe tregut. Sipas Ramës institucionet e arsimit të lartë duhet ta kenë pjesë të AND-së thithjen e të ardhurave nga tregu, që do i mundësojë edhe paga më të mira pedagogëve.

Rama ka përmendur edhe rritjen e pagave në mënyrë jo uniforme. Ai tha se është herë e fundit që pagat rriten në mënyrë të barabartë për të gjithë pasi do të ketë dallime me bazuar në përformancë.

Rama: Dëshiroj të them së pari, raporti që ju thatë për financimin e 1/3 të shtetit, është thelbi I drejtimit që ne kemi marrë por jemi larg konsolidimeve. Patëm një debat për çështjen e pagave, duhet të jetë e qartë që bota universitare është ndryshe nga pjesa tjetër. Universitetet nuk janë gjimnaze, trupat pedagogjike nuk janë mjekë as ushtarake, janë trupa që mbahen me pagën e shtetit dhe që përgjithësisht janë uniform. Universiteti është midis shtetit dhe tregut, që do të thotë universiteti duhet ta ketë pjesë të AND-së së vetë thithjen e të ardhurave nga tregu. Të jetë aktor në treg e të jetë magnet për të thithur fondet nga të katërta anët. Kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme për shkak të sindikatave, ka mbaruar reforma. Është hera e fundit që bëjmë rritje pagash uniforme. Do të mbështesim më shumë ato që ofrojnë më shumë studentëve. Nuk mund të ketë rritje page për universitetet që të mos jetë e kombinuar mes të ardhurave nga shteti dhe futjes së faktorëve në treg. Unë për shkak të kësaj detyre kam parë dhe jam përpjekur të mësoj sa mundem, ka hapësira ku takohet universiteti me tregun.

Dita e djeshme ishte data e nisjes së vitit të ri akademik, por pedagogët thonë se nëse qeveria nuk reagon, ata nuk do të hyjnë në auditore, ndërsa i bëjnë thirrje studentëve që të bashkohen nën sloganin “Investim për arsim cilësor”. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë parashikon nevojën e një fondi prej 15 milion euro për të vlerësuar rreth 5000 akademikë e staf administrativ, e kjo do të ishte e mundur sipas tyre duke kursyer nga tenderat publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA