“Historia me rublat, më e thellë sesa dimë”/ Rama nga Përmeti: Nuk është rastësi që ata votuan pro turpit të Dick Marty

18/10/2022 18:00

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar këtë pasdite me qytetarët e Përmetit, ka sulmuar opozitën për financimet ruse por jo vetëm.

Rama tha në fjalën e tij se historia e tyre (Partisë Demokratike) me rublat ruse është më e gjerë sesa dihet, por pa dhënë shumë detaje. Ai tha se nuk është rastësi edhe votimi pro i rezolutës së Dick Marty nga opozita në 2011-tën.

Kreu i qeverisë tha se opozita po shfrytëzon situatën e krijuar nga lufta, ‘duke i hedhur benzinë zjarrit’.

“Historia e tyre me rublat ruse është me gjerë se ajo që dimë. Kur ajo doli në shesh, të gjithë u hodhën përpjetë për të thënë që s’kemi asnjë lidhje. Tani po mundohen të thonë kush ka dhe kush nuk ka lidhje. Kjo dardhë e ka bishtin mbrapa. Nuk është rastësi që edhe historia me trafikimin e organeve që ka vënë një stampë turpi në ballë kombit dhe popullit shqiptar, që na identifikojnë si njerëz barbarë që trafikojnë organe njerëzish kur janë duke luftuar për lirinë e tyre. Nuk është rastësi që delegacioni shqiptar atje u nda. Ata që ishin në pushtet atëherë votuan pro atij turpi. Nuk është rastësi se në një situatë si kjo kërkojnë të hedhin benzinë në një zjarr që e ka hedhur një armik. Rublave nuk kemi ça u bëjmë, unë flas për njerëzit. Të mirëkuptojmë për disa gjëra që nuk janë në dorën tonë. Jemi nën agresionin e një lufte dhe inflacioni për të cilin ne kemi për detyre ta përballojmë, duke pasur parasysh të sotmen dhe të nesërmen”- tha Rama para qytetarëve të Përmetit.

Top Channel