Vrasja e Martin Çeços/ Lihet në burg Martina Pajollari, avokati i kushërinjve Mollaj kërkon dëshminë e 18-vjeçares

17/10/2022 09:51

Përfundon ne Gjykatën e Korçës seanca për njohjen e masës së sigurisë të Martina Pajollarit e cila u arrestua tre ditë më parë si bashkëpunëtore në vrasjen e Martin Çeços.

Pas njohjes së masës së sigurisë ”Arrest me burg” për Martina Pajollarin dhënë sot nga Gjykata e Korçës ka ardhur edhe reagimi i avokatit të kushërinjve Mollaj i cili ka kërkuar pranë Gjykatës sigurimin e dëshmisë së 18-vjeçares Martina Pajollari pasi sipas avokatit, 18 vjeçarja nga fshati Marjan ka dëshmi kontradiktore që përplasen me njëra-tjetrën.

Dëshmi të cilat gjithnjë sipas avokatit mund të kenë ardhur edhe nga faktorë të ndryshëm. Duke lënë për të kuptuar se dëshmitë që përplasen me njëra tjetrën nuk e ndihmojnë hetimin e çështjes ndaj dhe për këtë avokati i kushërinjve Mollaj ka kërkuar sigurimin e dëshmisë së vajzës e cila për Policinë akuzohet për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si e implikuar në ngjarje.

Ka shkuar në 4 numri i të arrestuarve për vrasjen e 26 vjeçarit Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit. Më herët janë arrestuar kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj si dhe Bleti Angjo.

Si ndodhi vrasja? 

Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18 vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26 vjeçari,  Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen. 38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.

Top Channel