Viti akademik nis me protestë/ Pedagogët protestojnë në fakultete për rritjen e pagave

17/10/2022 15:02

Viti i ri akademik ka nisur me bojkotin e pedagogëve të universiteteve publike, të cilët kërkojnë kushte dhe paga më të mira.

Pa afat, ata do të vijojnë protestat deri në një përgjigje pozitive nga qeveria.

Prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 10 pedagogët janë futur në auditore për të bërë prezantimin me studentët e rinjtë, ku këtë vit kanë nisur studimet e larta, 19.400 studentë. Më pas prej orës 10 deri në 12 ka vijuar bojkoti.

“Këtu te politekniku është 100% bojkoti, po ashtu te inxhinieria ndërtimit është 100%, jemi te shkencat e natyrës”- tha Sander Kovaci, Kreu i SPUSH.

Bojkoti është mbështetur nga pjesa më e madhe e pedagogëve në fakultetet në Tiranë, por ka dhe nga ata që nuk janë bërë pjesë. Kreu i sindikatës përmend universitetin e mjeksisë, aty ku dita ka nisur me ceremoninë e bluzave të bardha.

“Te mjekësia rektori mendon që duhet bërë mësim. Unë rektorin e quaj pak oligark atje sepse për sa kohë nuk ka nevoje për rritje rrogash ka mundësi që të jetë i lidhur me oligarkinë, kështu që për këto rektor oligarkë nuk kemi shumë nevojë”.- tha Sander Kovaci, Kreu i SPUSH

“Gjithmonë ka grevëthyes në çdo greve, ka grevëthyes ne do vazhdojmë sipas mundësive tona deri në fund”.- tha Ilda Kola, pedagoge, fakulteti inxhinierisë mekanike

Pedagogët kanë bërë thirrje për mbeshtjen edhe nga studentët, të cilët janë të ndarë në mendimet e tyre.

“Patjetër i mbështesin, do ndikojë por mesa kemi informacion do zëvendësohen të gjitha orët.

Nuk jam as pro as kundër thjesht dua të bëj mësim, kam ardhur ne Tiranë siç do student tjetër. Sa më shpejt të fillojë mësimi aq më mirë.

Jam student i ri dhe mendoj se kjo është një gjë e drejtë”.- u shprehën studentët.

Protesta do të vijojë edhe ditën e nesërme, ku pedagogët do të mblidhen sërish për të bojkotuar mësimin.

“Do mblidhemi neper fakultete edhe nesër”.– tha Sander Kovaci, Kreu i SPUSH.

 

Top Channel