Studentët rikthehen në auditore/ Pedagogët çdo ditë protestë në oborret e Fakulteteve: Të mblidhet Asambleja e Përgjithshme

17/10/2022 09:27

Ndërsa studentët i janë rikthyer sot auditoreve, pedagogët kanë përshkallëzuar qëndrimin e tyre, të vendosur në plotësimin e kërkesave.

Përmes një deklarate shpërndarë mediave, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë njoftoi vijimin e protestës së pedagogëve, duke filluar nga dita e sotme nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti, nga ora 10.00 – 12.00.

Gjithashtu përmes një shkrese drejtuar autoriteteve drejtuese të njësive kryesore të IAL-ve Publik ata kërkojnë mbledhjen e Asamblesë së Personelit Akademik, të quajtur në ketë kërkesë si Asamble e Përgjithshme, duke ftuar në këtë organizëm edhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të Asamblesë së Personelit Akademik.

D E K L A R A T Ë
Për të gjithë punonjësit e IAL-ve publike! Duke ju falenderuar për mbështetjen tuaj publike, me anë të pjesëmarrjes në Protestën/Forumin akademik të ditës së sotme, datë 14 tetor 2022, ju informojmë si më poshtë:

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), në vijim të nismave publike në funksion të realizimit të misionit universitar për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë publik, nga data 15 shtator 2022 (kohë në të cilën u mbajt protesta/forumi akademik në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, UT), vijuar me protestën/forumin e rradhës të datës 5 tetor 2022 tek Korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe atë të mbajtur sot më datë 14 tetor 2022, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, në mungesë të një reagimi zyrtar nga ana e institucioneve/autoriteteve që u jemi drejtuar, deklaron si më poshtë:

1. Shpalljen e vijimit të protestës në mbarë universitet publike të vendit, duke filluar nga dita e hënë, datë 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti (oborret e tyre), nga ora 10.00 – 12.00. Ky qëndrim lidhet me qëllimin tonë për të sensibilizuar institucionet/organet/autoritetet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

2. Sindikata i është drejtuar me një kërkesë autoriteteve drejtuese të njësive kryesore të IAL-ve Publike, me nr. 317 prot., datë 14.10.2022, që në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në respekt të stafeve akademike, ndihmës akademike dhe administrative, që kanë qenë pjesë e tre protestave publike në ambientet e universiteteve tona, të organizuara nga SPUSH, të thërrasin Asamblenë e Personelit Akademik, të quajtur në ketë kërkesë si Asamble e Përgjithshme, duke ftuar në këtë organizëm/forum edhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të Asamblesë së Personelit Akademik.

3. Sindikata do t’u informojë në vijim për të gjitha hapat, që do të ndërmerren nga ana e organeve/autoriteteve të IAL-ve publike në lidhje me mbështetjen e tyre në aksionin tonë të përbashkët.

Kujtojmë se Pedagogët po zhvillojnë protesta pasi kërkojnë dyfishimin e pagave. Ata mjaftohen me rritjen 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga vetë universiteti.

E hëna është data e nisjes së vitit të ri akademik, por pedagogët thonë se nëse qeveria nuk reagon, ata nuk do të hyjnë në auditore, ndërsa i bëjnë thirrje studentëve që të bashkohen nën sloganin “Investim për arsim cilësor”.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë parashikon nevojën e një fondi prej 15 milion euro për të vlerësuar rreth 5000 akademikë e staf administrativ, e kjo do të ishte e mundur sipas tyre duke kursyer nga tenderat publike.

Kjo javë është vendimtare për nisjen ose jo të vitit të ri akademik më 17 tetor, në varësi të reagimit ose heshtjes së qeverisë.

Top Channel