Protestë e pjesshme e pedagogëve në universitetin e Durrësit, disa fakultete vijojnë normalisht mësimin

17/10/2022 11:19

Viti i ri akademik ka nisur me një protestë të pjesshme të pedagogëve në universitetin ”Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku për herë të parë ulen në auditore 1700 të rinj.

Pedagogët që kanë bojkotuar auditoret për të  protestuar më përmbushje të kërkesave të tyre i përkasin kryesisht fakultetit të shkencave politike-juridike dhe atij të biznesit. Ndërkohë procesi akademik ka nisur normalisht në fakultetet e tjera.

Rektorja e UAMD-së Kseanela Sotirofski ka përshëndetur studentët në këtë fillim viti duke  i siguruar se do të jetë një vit i mbushur dhe me mundësi të reja për ta, duke nisur nga aktivitetet shkencore, sociale, vullnetare dhe në konferencat studentore, shkëmbimet në kuadër të Erasmus+, trajnimet për karrierën etj.

Këtë vit akademik, infermieria, fizioterapia, financë-kontabiliteti dhe teknologjia e informacionit janë degët më të kërkuara prej tyre, ndërsa ka rënë interesi për degën e juridikut. Ky universitet ka njohur një rritje të aplikimeve për këtë vit të ri akademik që pritet të nisë të hënën, ndërsa asnjë degë nuk ka rrezikuar mbylljen. Edhe në degët e mësuesisë në fakultetin e Edukimit situata paraqitet normale.

Fakulteti i Studimeve Profesionale me degët në shkencat teknike mjekësore, ai i Biznesit me financë-kontabilitet dhe fakulteti i Teknologjisë së Informacionit kanë qenë më të preferuarit për studentët e regjistruar gjatë 2 raundeve të para. Rënie të interesit të studentëve ka pasur për disa degë të fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike, përfshirë dhe atë të drejtësisë.

Sipas UAMD-së, rreth 1700 studentë do t’i bashkohen auditorëve të saj në sistemin “Bachelor” dhe programet profesionale 2-vjeçare këtë vit akademik. Në raundin e parë ka pasur afërsisht 1300 regjistrime, ndërsa 400 të tjera janë bërë gjatë raundit të dytë. Kuotat janë përmbushur plotësisht dhe në programet 2-vjeccare, si specialist rrjetesh kompjuterike dhe informatikë praktike, programe këto tepër të kërkuara në tregun e punës.

Top Channel