Pedagogët e Universitetit të Gjirokastrës i bashkohen protestës kombëtare

17/10/2022 11:53

Universiteti i Gjirokastrës nisi sot vitin e ri akademik me një numër studentësh në rënie në raport me vitin e kaluar.

Rënia në fakt ka qenë e pandalshme që prej një dekade tashmë. Në ditën e parë të vitit akademik pedagogët e Gjirokastrës iu bashkuan protestës kombëtare dhe vendosën të bojkotojnë mësimdhënien mes orës 10-12 duke nisur nga sot e deri sa të përmbushen kërkesat drejtuar qeverisë.

Sindikata e pedagogëve në Gjirokastër pritet që të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme për të draftuar edhe kërkesa specifike që lidhen vetëm me nevojat e këtij universiteti. Cilësia e mësimdhënies është mes kërkesave kryesore që vjen nga Gjirokastra dhe së dyti rritja e pagave.

Sipas Arjan Gjinit, kreu i sindikatës së pedagogëve universiteti “Eqrem Çabej” rrezikon mbylljen për shkak të tkurrjes së vazhdueshme dhe kërcënimit me mbyllje të shumë programeve sidomos ato të mësuesisë.

Nëse rreth 10 vite më parë për 2000 kuota kishte 4000 aplikime sot për të njëjtin numër kuotash vijnë 1000 aplikime.

Këtë vit edhe degët e turizmit duket se kanë marrë aplikime minimale në Gjirokastër.

Edhe Pedagogët e Elbasanit kanë bojkotuar mësimin për t’ju bashkuar protestës prej orës 10-12. Sipas tyre bojkoti i pjesshëm do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës për rritje page. Në Elbasan universiteti “Aleksandër Xhuvani” nga 2573 janë plotësuar 1435.

Top Channel