Partia e Lirisë depoziton në Kuvend propozime për ndryshime në ligjin për energjinë

17/10/2022 14:00

Partia e Lirisë kërkon ndryshime në ligjin për energjinë, ndërsa deklaron se ka gati propozimet e saj për Kuvendin.

“Problemi i energjisë elektrike është një çështje madhore, që influencon direkt në ekonominë e vendit dhe në buxhetet familjare të qytetareve veçanërisht në këto kohë të vështira të rritjes shumë të madhe të çmimeve të saj.

Qeveria nuk e ka ende në operim bursën shqiptare të energjisë.Qeveria nuk ka miratuar ende Operatorin e Energjive të Rinovueshme.Për liberalizimin dhe stimulimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese nga burimet e energjisë së rinovueshme nevojitet të rregullohet pika 1 e nenit 49 të ligjit 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”.

Liberalizimi i tregut do të mobilizojë një gatishmëri më të madhe të konsumatorëve familjarë e privatë për të investuar në këto impiante, duke shmangur pengesat burokratike.

Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme për burime të reja për plotësimin e nevojave të saj në rritje për energji elektrike. Kapaciteti aktual i instaluar për prodhimin e energjisë është 2607MË dhe nga centralet fotovoltaike është vetëm 23 MW.

Këto ndryshime do të jenë një shtysë e re për plotësimin e objektivave kombëtare për prodhimin e energjisë së rinovueshme që për 2020 ishin 38 %. Qeveria me udhëzimet e nxjerra ka frenuar dhe nuk ka stimuluar që konsumatorët të plotësojnë kërkesën e tyre për energji nëpërmjet vetëprodhimit. Sektori banesave dhe tregtisë përbën 37% të konsumit final të energjisë të llogaritur sipas sektorëve.

Propozimi për mundësine e futjes në rrjet me pagesë të energjisë së gjeneruar nga impiantet fotovoltaike familjare, dhe subvencionimi i ndërtimit të tyre, do të krijojë një realitet të ri të konsumit dhe të kursimit të energjisë nga çdo ekonomi shtëpiake. Pasojë pozitive do të jetë edhe ulja e ngarkesës në rrjet dhe krijimi i mundësisë për uljen e humbjeve të rrjetit që aktualisht shkojnë rreth 20 %.

Për këtë, nevojiten këto ndryshime përkatëse në ligjin nr. 7/2017 “Për Nxitjen e Përdorimit të Energjisë nga Burimet e Rinovueshme” që po paraqesim për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndaj, për këtë qëllim ne kemi paraqitur këto ndryshime për nxitjen e përdorimit të energjisë. Dhe insistojmë për një procedim sa më të shpejtë nga Kuvendi.

Për krizën ka një fajtor, qeveria e kryeministrit që sa i takon investimet, ecën me hapin e breshkës e me hapin e kangurit sa i takon korrupsionit.”- u shpreh Meta.

Top Channel