Vjosa Osmani u tregua e prerë me mesazhin e dërguar Bashkimit Europian: Shtetet e BE-së të respektojnë rekomandimin e Komisionit Europian, sa i përket liberalizimit të vizave dhe “të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë”.
Komentet e saj, presidentja e Kosovës i bëri gjatë takimeve që zhvilloi me ambasadorët e akredituar në Prishtinë nga Gjermania, Italia dhe Sllovenia, të cilëve u kërkoi përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave. Osmani argumentoi para tyre se vendosja e kritereve të tjera për liberalizimin e vizave për Kosovën “do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-së”.
Në këtë takim, besohet se zyrtarët francezë kanë përsëritur kërkesën e hedhur nga Parisi zyrtar që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me sistemin ETIAS, kërkesë që është mbështetur nga të paktën katër shtete të tjera: Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja. Presidenca çeke është shprehur se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.
Takimi i radhës i grupit të punës për vizat i Këshillit të BE-së është parashikuar të mbahet në nëntor. ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – që është krejtësisht elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen. Ekspertë si Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Europian, e kanë parë kërkesën e Francës si një qasje driëshkurtër dhe të dëmshme për BE.
“Ky është thjesht një justifikim për të vonuar dhënien e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. ETIAS është një sistem regjistrimi për qytetarët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në zonën Schengen. Nuk do të hyjë në fuqi para fundit të vitit 2023. Nuk ka asnjë arsye për të pritur për këtë”, është shprehur Bender.
Top Channel