Negociata me dyshime/ Berisha hap primaret pa përfunduar bisedimet mes dy grupimeve

17/10/2022 19:47

Në vigjilje të nisjes së negociatave mes dy grupimeve brenda Partisë Demokratike,  palët nuk duken shumë optimist për rezultatin e tyre.

Nëse do të dalë apo jo tym i bardhë nga shtëpia e demokratëve do të jetë më e qartë të martën, ditën kur Edi Paloka dhe Gazment Bardhi do të ulen të bisedojnë bashkë për të gjetur mënyrën sesi dilet me një kandidat të përbashkët në zgjedhje vendore, por ndërkohë deputetët demokratë të grupimit Alibeaj nuk e kanë fshehur skepticizmin e tyre për suksesin e këtyre negociatave në takimin e përjavshëm në Kuvend.

Nxitimi i Sali Berishës për të thirrur mbledhjen e Kryesisë mesditën e së martës për të hapur procesin e primareve duket se ka vënë para faktit të kryer palën tjetër, por Gazment Bardhi ka vendosur që të ulet me Edi Palokën.

Në pritje të negociatave  në selinë blu, ka nisur puna për betejën e pranverës, Sali Berisha priti sot drejtuesit e qarqeve, të cilët i përcollën kërkesën e bazës për bashkim para zgjedhjeve vendore.

“Politika është e komplikuar. Natyrisht është gjë me fat kur koherenca dhe bashkimi ecin bashkë. Por gjithsesi do duhen gjetur format për të ecur përpara sepse është e rëndësishme me u bashku për të ndryshuar situatën në Shqipëri, kështu nuk ecet më”, thotë Jozefina Topalli.

“Ne e dimë që në grupin parlamentar ka një ngërç që është e domosdoshme të kapërcehet. Dhe kapërcimi i këtij ngërçi vjen përmes bisedimeve dhe gjetjes së një të mesmeje të përbashkët të dalim me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore”, shprehet Edmond Spaho.

“Baza është bashkë dhe duan të negociojnë dhe bisedojnë, pavarësisht skepticizmit tim që e kam shfaqur se nuk kam besim te sinqeriteti i zotit Bardhi për mënyrën sesi ata kanë artikuluar deklaratat në medie”, thotë Luan Baçi.

Në takimin e parë me  drejtuesit e qarqeve, ra në sy mungesa e Xhelal Mziut, i caktuar në qarkun Dibër, ndërkohë Tomor Alizoti, përgjegjës për Beratin, iu bashkua zyrtarisht grupimit Berisha.

Top Channel