‘Mollë sherri’ në vrasjen e Martin Çeços/ Martina Pajollari kokulur në gjykatë, ja çfarë deklaroi para trupës gjykuese

17/10/2022 10:07

Martina Pajollari në seancën e sotme është njohur me masën e sigurisë arrest me burg.

Para togave të zeza ajo ka mohuar gjithçka lidhur me vrasjen e Martin Çeços. Burime të siguruara thanë se Martina Pajollari është shprehur ne seancë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen madje ka shkuar më tej kur tha se gjithçka ka thënë para grupit të hetimit e ka bërë nën presionin e Policisë.

Si ndodhi vrasja?

Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18 vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26 vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.
38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.

Top Channel