Kukësi duket se është rikthyer në rrugën e duhur teksa trajneri Enkeleid Dobi ka gjetur mekanizmat e duhur për ta bërë ekipin të funksionojë.
Skuadra verilindore mposhti me rezultatin 0-2 Erzenin në stadiumin Niko Dovana duke koleksionuar kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat. Takimi nisi mirë për të besuarit e Dobit që kaluan në avantazh në minutën e minutën e 17-të me anë të Edi Basa.
Kroati nuk fali me një goditje potente në zonë duke mposhtur Xhikën ndërsa disa minuta më pas, sulmuesi nuk e kishte fatin me vete teksa u ndal nga shtylla. Verilindorët administruan rezultatin për pjesën e mbetur të pjesës së parë, ndërsa në të dytën u shfaqën sërish kërkues, edhe pse Erzeni ngacmonte herë pas here. Gjithsesi, për të vulosur rezultatin mendoi sulmuesi Gabriel Barbosa që shfrytëzoi harkimin e Meksit dhe me kokë mposhti për herë të dytë portierin Xhika.
Deri në fund, shifrat nuk ndryshuan me portierin Tafas që ishte autor i disa pritjeve vendimtare teksa ndihmoi Kukësin të ngjitet në kuotën e 11 pikëve në vend të katërt ndërsa verilindorët i dërgojnë një sinjal ekipeve të kreut si Partizani (16 pikë) e Tirana (15 pikë) se tashmë janë rikthyer e duhen konsideruar edhe ata rivalë për titullin kampion. Sakaq, pas kësaj humbje, Erzeni mbetet në vendin e tretë të renditjes me 12 pikë teksa mbyllin ndeshjen e tretë radhazi pa fitore./ Super sport
Top Channel