Kampionati i xhudos dhe karatesë/ Veliaj premton se bashkia do ndërtojë infrastrukturë për këto disiplina

16/10/2022 20:05

Në përfundim të “Javës së Kulturës Japoneze”, në Tiranë u zhvillua “Kupa e Ambasadorit Japonez” – një minikampionat i xhudos dhe i karatesë.

Në ditën e fundit të garës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se bashkia do të ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës për këto sporte.

“Fakti që shumë prindër kanë investuar që fëmijët e tyre të fokusohen në xhudo dhe në karate, në sporte që më shumë sesa forcojnë muskulin, forcojnë mendjen, zemrën dhe karakterin, ne do të bëjmë çmos, si bashki dhe si ambasadë, që të prodhojmë infrastrukturën e nevojshme, edhe me mjeshtrit e Japonisë, që çunat dhe gocat e Tiranës të kenë mjeshtrit më të mirë, trajnimin më të mirë dhe kujdesin më të veçantë, si nga bashkia, ashtu edhe nga Ambasada e Japonisë”, tha Veliaj.

Ky kampionat u organizua nga Ambasada e Japonisë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të KARATE-së (AKF) dhe Federatën Shqiptare të Xhudos me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve të miqësisë së dy vendeve, Shqipërisë dhe Japonisë

Top Channel