Numra rekord njerëzish rrezikojnë jetën në xhunglën panameze Darién drejt SHBA (fotot)

15/10/2022 18:13

Më shumë se 150,000 njerëz që i largohen varfërisë kanë mbërritur sivjet në xhunglat e Panamasë në ndjekje të “ëndrrës amerikane”.

Kriza humanitare në atë që njihet si ‘Kalimi Darién’ ka arritur kulmin teksa grupet e bamirësisë njoftojnë për numra rekord njerëzish që rrezikojnë jetën duke tentuar kalimin e rripit të xhunglës së Amerikës Latine, drejt Shteteve të Bashkuara.

Ata thonë se venezuelanë dhe kombësi të tjera ndërmarrin kalimin e rrezikshëm mes “urës tokësore” që lidh Amerikën e Jugut me atë të Veriut, në numra të mëdhenj sipas autoriteteve panameze.

“Për fat të keq nuk arrijmë të kurojmë të gjithe njerezit,” thotë Conrado Hincapié, një koordinator i OJQ-së ‘Médecins Sans Frontières’ në zonën e Darien.

Më shumë se 150,000 kanë mbërritur në Panama nga Kolumbia duke kaluar Darién këtë vit, në krahasim me rreth 133,000 që u numëruan në vitin 2021.

Para krizës së refugjatëve Kalimi Darién mes Panamasë e Kolumbisë njihej si një nga rrugëtimet më të rrezikshme të planetit edhe për ekskursionistët më me eksperiencë, ndërsa tani kalohet nga emigrantë shpesherë të papajisur e të paveshur si duhet.

Rruga mund të kërkojë shtatë ditë për të kompletuar dhe është gjithmonë e rrezikuar nga përmbytje të papritura në xhungël, nga faqe të mprehta zbritjeje dhe lumenj të vrullshëm.

Por përveç rreziqeve natyrore ata që marrin guximin ta kalojnë bëhen objekt dhe të grabitjes nga bandat, të cilat nuk hezitojnë të shfrytëzojnë ata që i largohen rrezikut e varfërisë.

Vëzhguesit thonë se rreth 30% e emigrantëve janë gra, dhe në javët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të miturve.

Rreth 1,200 mbërrijnë në ditë në San Vicente, fshati në anën panameze të xhunglës disa qindra prej të cilëve ndihmohen dhe trajtohen me mjekime nga grupet e aktivistëve, para se të vazhdojnë më tej rrugëtimin.

FOTO GALERI
1/3
Rruga mund të kërkojë shtatë ditë për të kompletuar dhe është gjithmonë e rrezikuar

Top Channel