“Mos na lini mënjanë”/ Rama kërkon mbështetje në Kongresin e PES në Berlin: Sulmi nga Irani për shkak të MEK

15/10/2022 10:54

Nga Berlini, në kongresin e Partive Socialiste Europiane, kryeministri Edi Rama në nisje të fjalimit të tij kërkoi mbështetje nga BE për të përballuar krizën energjetike.

Rama përsëriti edhe njëherë zhgënjimin nga periudha e pandemisë, ku tha se lënia pas e Shqipërisë me ndihmën e vaksinave, nuk duhet të ndodhe me energjinë.

Kemi pasur përvoja të tmerrshme me Bashkimit Europian kur nisi pandemia dhe kur Bashkimi Europian u mblodh me nxitim dhe nën trysninë e një angështie shumë të madhe për të nisur vaksinimin dhe në raundin e parë të vaksinimit, ne u harruam krejtësisht. Kështu që, na u desh të shihnim, si të tjerët rreth nesh nisnin të vaksinonin të moshuarit e tyre, infermierët, mjekët e tyre, ndërkohë që ne, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ishim kaq besimplotë e kaq shumë besnikë karshi Europës, ishim si peshku pa ujë. Çfarë mund të bënim? Na u desh të vraponim dhe t’i gjenim vaksinat pikërisht aty ku Bashkimi Europian thotë se vjen rreziku, Kina, Rusia dhe Turqia. Në rastin e Shqipërisë, për shembull, po të mos kishte qenë Turqia dhe Presidenti Erdogan, nuk do të kishim qenë në gjendje të vaksinonim askënd për një kohë mjaft të gjatë. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Kinën dhe njëfarë soji, edhe Rusinë. Ishte një moment shumë i frikshëm sepse pamë që në një situatë shumë të vështirë, Bashkimi Europian nuk ishte për ne, nuk ishte për njerëzit tanë, nuk ishte i pranishëm për një çështje jetë a vdekjeje. Përsëri, ja ku jemi. Kriza e energjisë nuk është pandemia, por është e ngjashme kur vjen fjala për fuqinë goditëse që mund të trazojë të gjithë komunitetin europian do të thoja. Dhe unë shpresoj që nuk do të ndodhë sërish që cilado zgjidhje të gjendet brenda BE sidoqoftë BE të zgjedhë të mbështesë vendet anëtare për të përballuar këtë goditje të stërmadhe, ne nuk do të lihemi sërish jashtë“, tha Rama në nisje të fjalimit të tij.

Me tone në dukje të qeta, Rama tha se të rinjve shqiptar nuk po u jepet mundësia të kenë të njëjtin akses sit ë tjerët në sistemin e lartë europian, pavarësisht se ata kërkohen më së shumti nga vendet e pasura,

Ne këtu në këtë familje duhet të shohim një herë nga njeri-tjetri dhe ne në fakt ketu e kontrollojmë dhe e shohim njeri- tjetrin kaq imtësisht sa ndonjëherë e bejmë edhe nuk kemi solidaritet, megjithatë dua të them duke iu kthyer asaj që po thoja, që ka gjëra që janë të tmerrshme. Nuk jemi vende të pasura dhe po shohim të rinjtë tanë, të rinjtë tanë më të mirë që largohen sepse nuk kemi të njëjtën qasje në sistemin europian të arsimit të lartë, që do të thotë universitetet tona nuk mund të krijojnë sinergjinë dhe të krijojnë rrugëtimin e përbashkët në universitetet në BE.  Nga ana tjetër, shohim që edhe ata që i paguajmë me paratë e taksapaguesve tanë që të bëhen mjekë e infermierë merren nga Gjermania menjëherë. Nuk duket e drejtë dhe nuk duket solidaritet europian që nga njëra anë të shohësh universitetet dhe të rinjtë e tu të vendit të lihen jashtë sistemit duke u larguar nga vendi sepse duan të bëhen pjesë e këtij sistemi dhe me shumë të drejtë dhe nga ana tjetër të shohim krahun tonë të kualifikuar të punës që merret nga tregu europian, natyrisht, e kuptoj që është tregu, por kjo duhet të jetë njëfarësoj e ekulibruar me një lloj solidariteti në kuptimin që vendet tona duhet të marrin diçka në këmbim. Pra nëse nuk ka më gjermanë të rinj që duan të bëhen infermierë, jemi të lumtur të ndihmojmë, por po kështu duhet të ndihmohemi. Nuk mund të funksionojë vetëm në njërin kah“, tha Rama.

Kreu i qeverisë solli edhe njëherë në vëmendje sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërinë, ku tha se e gjitha erdhi si pasojë e strehimit të anëtarëve të MEK.

Ne u përballëm me një sulm shumë të rëndë nga Republika Islamike e Iranit në përpjekje për të fshirë krejt të dhënat tona e për të shkatërruar tërësisht sistemin tonë të shërbimeve të ofruara në internet, që është një sistem shumë i zhvilluar në Shqipëri dhe vetëm dje, në udhërrëfyesin e zhvillimit digjital të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet e teta në Europë, në gjithë Europën, jo vetëm në Europën tonë që ka vetëm E dhe nuk ka B dhe e 19 në botë, çka nënkupton që kemi një sistem mjaft të sofistikuar të shërbimeve online që tashmë është pjesë e jetës së qytetarëve me një mori përfitimesh që eliminojnë pritjen në kohë, në radhë, eliminojnë ryshfetet. Pra, ata goditën në një pjesë shumë strategjike të funksioneve tona të përditshme. Arsyeja lidhet me faktin që Shqipëria strehon disa mijëra pjesëtarë të opozitës iraniane sepse ne jemi një vend paksa ndryshe kur vjen fjala për solidaritet me njerëzit që kanë nevojë dhe nuk është rastësi që Shqipëria ishte i vetmi vend në gjithë Europën që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, sepse hebrenjtë në Shqipëri u mbrojtën dhe nuk ka asnjë dëshmi e të dhënë për asnjë hebre të vetëm të dorëzuar nazistëve.  Kur më pas makineria e tmerrshme e spastrimit etnik e Slobodan Milošević nisi veprimtarinë e saj të gjakatare në Kosovë, gjysmë milioni njerëz të zhvendosur prej saj u strehuan në Shqipëri. Së fundmi, largimi nga Afganistani ishte një histori tejet e rrëmujshme. Ne u hapëm dyert disa mijëra afganëve që askush nuk donte t’i merrte, edhe pse ata punonin për ne. Ishte një situatë vërtetë e sikletshme për t’u parë, që anëtarë të NATO-s që i kishin përdorur këta persona si si përkthyes, shoferë, si inxhinierë, ekspertë, e që i nxitën gratë të dalin, të flasin, të qëndrojnë e t’i dalin zot vetes, patën këtë ide të tmerrshme, jo vetëm të largoheshin, por të largoheshin edhe pa ta. Kështu që nuk mundëm ti shpëtonim të gjithë, por jam shumë krenar se ne shpëtuam shumë prej tyre”– përfundoi Rama.

Top Channel