‘Mollë sherri’ për krimin në Maliq/ Martina Pajollari ishte e pranishme kur ndodhi vrasja e Martin Çeços

15/10/2022 11:00

Detaje të reja tronditësë kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Martin Çeços, ngjarje e ndodhur më 16 qershor të këtij viti.

Mësohet se 18-vjecarja Martina Pajollari, e arrestuar një ditë më parë si bashkëpunëtore në krim, ka qenë e pranishme në momentin kur ka ndodhur vrasja.

Burimet konfirmojnë për Top Channel se Martina Pajollari ka qenë arsyeja e konfliktit mes viktimës dhe autorit kryesor Valter Mollaj. E reja mbante lidhje të dyfishtë, ndërsa në sy të Valterit shprehej se Martini e detyronte për të qëndruar me të, gjë që nga hetimet nuk rezulton e vërtetë.

Ajo ç’ka e bën më tronditës ngjarjen është se vajza ka qenë prezente në momentin që Valter Mollaj së bashku me 2 të arrestuarit e tjerë bënin planin për vrasjen e Martinit. Po ashtu mësohet se 18 vjecarja Pajollari ka qenë prezente në momentin që është kryer vrasja.

Si ndodhi vrasja? 

Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18-vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26-vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.

38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.

Top Channel