Sejko në mbledhjet e FMN dhe BB: Presim që inflacioni të ulet vitin e ardhshëm

14/10/2022 14:15

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Ekonomia shqiptare ka përballuar mirë goditjet e shumta të viteve të fundit, si tërmeti i vitit 2019 e pandemia Covid 19. Megjithëse ekspozimet e drejtpërdrejta të Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi – Ukrainë janë të kufizuara, Shqipëria tani po përballet me sfida që vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe ngadalësimit ekonomik në Evropë. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim, ndërsa shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur.

Në vijim, Guvernatori theksoi se inflacioni vazhdon të mbetet një sfidë kryesore për stabilitetin makroekonomik, rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, pavarësisht se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet. Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe pritet të ulet gjatë vitit 2023. Marrja e masave për zbutjen dhe kthimin e tij në objektiv është në fokus kryesor të punës së bankës qendrore. Guvernatori Sejko u shpreh se fillimi i normalizimit të politikës monetare ka qenë i nevojshëm për të zbutur këtë tregues, ndërkohë që ka pasur një vigjilencë të shtuar ndaj normave më të larta të interesit për të ruajtur stabilitetin financiar.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së mbështetën ndryshimin e kursit të politikës monetare të ndërmarrë nga BSH-ja, si dhe shtuan se kushtet monetare janë ende akomoduese, pavarësisht nga rritjet e njëpasnjëshme e normës së interesit.

Guvernatori shtoi se rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm, nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga mbështetja me kredi nga sektori bankar, i cili paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Reformat e vazhdueshme të ndërmarrë në vitet e fundit kanë dhënë frytet e veta. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare dhe i sistemeve të pagesave, si dhe nismat për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se sistemi bankar i ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme, mbështetur nga përpjekjet e vazhdueshme të BSH-së për të forcuar rregullimin dhe mbikëqyrjen. Përmirësimi i këtyre të fundit, në përputhje me standardet e BE-së, do mund t’u siguronte autoriteteve mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet e stabilitetit financiar. Gjithashtu, ata inkurajuan vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve drejt de-euroizimit të ekonomisë, si një masë e nevojshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si inflacioni, kriza energjetike etj. nxjerrin në pah edhe një herë një sërë detyrash që duhen marrë në konsideratë nga autoritetet.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA